“Transparenca, vlera më e lartë e një qeverisje të mirë”, shprehet Konjufca

Kuvendi i Kosovës sot ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë me një varg aktivitetesh.

Në fjalën hapëse, kryepalamentari Glauk Konjufca tha se këtë vit kjo ditë po festohet më ndryshe, pasi që Republika e Kosovës është anëtarësuar në Partneritetin për Qeverisje të Hapur, raporton Zeri.info.

“Për ne është një arritje jashtëzakonisht e rëndësishme anëtarësimi në këtë organizatë, pas një periudhe të gjatë punësh dhe përpjekjesh që nuk kufizohen vetëm në legjislaturën tonë, por vijnë qysh më herët, nga e kaluara. Kjo pra përveç tjerash tregon edhe për pjekurinë e institucioneve tona, sepse janë disa projekte që vazhdojnë qysh më herët dhe kurorëzohen në njërën prej legjislaturave të caktuara”, u shpreh Konjufca.

Ndër tjera ai përmendi se një ndër vlerat më të larta që mund të ketë një qeveri është transparenca, për çka u shpreh se kjo rrit besueshmërinë e popullit në institucionet e vendit.

“Institucionet e Kosovës duhet të punojnë më shumë për aktivizimin sa më të madh të të rinjve, duke investuar në edukimin dhe zhvillimin e tyre, ngase një shoqëri demokratike mund të mirëmbahet si e tillë kur çmohet kontributi i gjeneratave të reja”, theksoi ai ndër tjera.

Konjufca shtoi se përbërja e legjislaturës aktuale i ndihmon deklaratës së tij, sepse 15 për qind e deputetëve janë nën moshën 35 vjeçare.

Ndërtimin e demokracisë, konsolidimin e shtetit dhe arritjen e lirisë dhe pavarësisë, kryetari i Kuvendit e quajti testament të së kaluarës, e të cilin tha se duhet ta përcjellin me shumë kujdes te gjeneratat që po vijnë.

“Ne duhet të angazhohemi për krijimin e mundësive për angazhim sa më aktiv të të rinjve dhe t’i fuqizojmë ata nëpërmes programeve dhe platformave të ndryshme. Forma më e mirë se si të arrihet kjo është investimi në forcimin e edukimit dhe zhvillimit të aftësive të të rinjve tanë. Edukimi dhe përfshirja e të rinjve si një burim i rëndësishëm i zhvillimit njerëzor është thelbësor për demokracinë”, tha kryetari Konjufca

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë në Kuvendin e Republikës së Kosovës u lansua edhe Doracaku për Nisma Legjislative Qytetare, përgatitur nga Instituti i Kosovës për Drejtësi. /Zëri