Gjermania: Zhgënjyese që nuk pati sukses takimi i djeshëm në Bruksel

Dje në Bruksel u zhvillua takimi në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në kuadër të procesit të dialogut të ndërmjetësuar.

Mirëpo, as nga ky takim nuk pati rezultate konkrete, gjë për të cilën ka reaguar edhe zëdhënësi i Qeverisë Federale të Gjermanisë, Steffen Hebestreit.

Ai ka thënë se mosarritja e ndonjë rezultati është një gjë zhgënjyese dhe se një gjë e tillë do të pengojë BE-në që ta gjejë një zgjidhje, raporton Zeri.info.

Hebestreiti ka theksuar se dialogu është zgjidhja e vetme, teksa është zotuar se Gjermania do të punojë intensivisht me partnerët e saj për këtë.

“Shumë zhgënjyese që takimi i dialogut mes Serbisë dhe Kosovës ishte sërish i pasuksesshëm. Pengimi nuk do të na nxjerrë nga kriza. Dialogu i normalizimit i udhëhequr nga BE-ja është mënyra e vetme për një zgjidhje. Gjermania do të vazhdojë të punojë intensivisht me partnerët e saj për këtë”, shkroi ai në platformën “X”. /Zëri