Miratohen konkluzionet e Nënkomitetit të shtatë të MSA-së për Energji, Mjedis, Klimë, Zhvillim Rajonal dhe Transport

Në kuadër të dialogut mbi zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), janë dakorduar konkluzionet e “Takimit të Nënkomitetit për Energji, Mjedis, Klimë, Zhvillim Rajonal dhe Transport” për vitin 2023 dhe tutje.

Qeveria ka njoftuar se temat e reformave të mbuluara nga ky takim janë relevante direkt për zhvillim të qëndrueshëm të Kosovës, duke përfshirë infrastrukturën dhe mirëqenien e qytetarëve.

Kosova dhe KE-ja janë dakorduar që strategjitë, planet e veprimit dhe legjislacioni duhet të përafrohen me parimet dhe prioritetet e BE-së, respektivisht me iniciativën e Marrëveshjes së Gjelbër dhe Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, më qëllim sigurimin e koherencës ndërmjet dokumenteve në secilin sektor.

Sa i përket energjisë, KE ka vlerësuar lart miratimin e Strategjisë së Energjisë 2022-2031, si dokument kyç për ofrimin e bazës për dekarbonizim duke ruajtur sigurinë energjetike, sigurimin e furnizimit të përballueshëm, dhe duke zgjeruar zhvillimin e burimeve alternative të energjisë.

“Kosova ka zbatuar me sukses Pakon për Mbështetje të Energjisë, dhe pritet që të zbatojë planin e veprimit duke përfshirë zbatimin e masave nga Fondi për Efiçiencën e Energjisë dhe për të siguruar shtrirjen e tij në sektorin e banimit, më qëllim përmirësimin e efikasitetit të energjisë për familjet dhe sektorin privat. Gjithashtu, pritet që një numër ligjesh dhe reforma të tjera të miratohen në përputhje me afatet e Traktatit të Komunitetit të Energjisë”.

“Më tej, në fushën e mjedisit, KE-ja ka vlerësuar pozitivisht progresin në miratimin e ligjeve gjatë vitit 2022. Sidoqoftë, Kosova duhet të ndërmarrë hapa konkret në zbatimin e kornizës ligjore dhe strategjike. Në veçanti, Kosova duhet që t’i forcojë kapacitetet dhe përpjekjet institucionale për të siguruar nivel më të lartë të zbatimit në menaxhimin e mbeturinave, sektorin e ujit dhe integrimin e mjedisit në politikat e tjera”, thuhet në njoftim.

Sa u përket ndryshimeve klimatike, Kosova ka shënuar progres duke e miratuar Strategjinë dhe Planin e Veprimit për Ndryshimet Klimatike, por nevojiten përpjekje të mëtejshme për të përmirësuar zbatimin e saj, si dhe për të bërë progres në Planin Kombëtar të Mjedisit dhe Klimës.

Në fushën e transportit, Kosova ka pjesëmarrje proaktive në Komunitetin e Transportit.

“Megjithatë, Kosova duhet të vazhdojë të angazhohet në rritjen e sigurisë rrugore dhe të sigurojë një tranzicion më të shpejtë drejt transportit të qëndrueshëm, më të shëndetshëm dhe gjithëpërfshirës në të gjitha qytetet e Kosovës. KE dhe Kosova janë dakorduar për nevojën e vazhdimit të reformave legjislative dhe institucionale, duke përfshirë forcimin e pavarësisë dhe kapaciteteve të institucioneve rregullatore në sektorin e transportit”, thuhet në njoftim.

Në fund, për zhvillimin rajonal Komisioni vlerësoi miratimin e Ligjit për Zhvillimin Rajonal dhe bëri thirrje për miratimin e Planit të Veprimit për Zhvillimin Rajonal.

Informata shtesë:

•Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA) është korniza në kuadër të së cilës BE-ja dhe administrata e Kosovës diskutojnë rregullisht çështjet teknike dhe ato të politikave në lidhje me reformat e lidhura me BE-në. Organet e MSA-së janë Këshilli i Stabilizim-Asocimit, ndihmuar nga Komiteti i Stabilizim-Asocimit, si dhe Nënkomitetet e MSA-së, të cilat mbulojnë një gamë të gjerë të acquis të BE-së. Takimet e organeve të MSA-së ofrojnë kontribut të drejtpërdrejtë në raportet vjetore të Komisionit Evropian.

• Çdo mbledhje e Nënkomitetit monitoron dhe përcjell veprimtarinë e Kosovës në reforma dhe identifikon se si BE-ja mund të ndihmojë në këtë proces.

•Ekzistojnë shtatë fusha që mbulohen nga takimet sektoriale të nën-komiteteve, ajo e Drejtësisë, Lirisë dhe Sigurisë; Inovacioni, Shoqëria e Informacionit, Politika Sociale, Edukimi dhe Kultura; Industria, Doganat dhe Tatimet; Tregu i Brendshëm, Konkurrenca, Konsumatori dhe Mbrojtja e Shëndetit; Bujqësia, Peshkataria, Pylltaria, Siguria e Ushqimit; Transporti, Mjedisi, Energjia, Ndryshimet klimatike dhe Zhvillimi Rajonal; Çështjet ekonomike dhe financiare, statistikat.

• Dy fusha të tjera të përfshira në takimet e grupeve të veçanta janë reforma e administratës publike dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë.

Takimet e Komitetit dhe Nën-Komiteteve të MSA-së bashkë-kryesohen nga Komisioni Evropian dhe Kosova. Çdo takim rezulton në veprime përcjellëse të dakorduara bashkërisht, të cilat duhen ndërmarrë nga autoritetet e Kosovës. Përfundimet nga takimet do të jenë të disponueshme edhe në faqet e internetit të Zyrës së BE-së në Kosovë dhe asaj të Integrimit Evropian të Kosovës. /Zëri