Klinaku: Specialja po gjykon vetëm shqiptarët, kërkojmë nga shteti të mos i lejojë bastisjet

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka nisur protestën para zyrave të EULEX-it në Fushë-Kosovë.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL UÇK-së, Faton Klinaku, në fjalën e tij gjatë protestës tha se Dhomat e Specializuara të Kosovës po gjykojnë vetëm shqiptarët, transmeton Telegrafi.

“Dhomat e specializuara të Kosovës gjykojnë vetëm shqiptarët, por jo krimet e kryera në Kosovë, jo krimet që ua kanë shkaktuar pushtuesit serbë civilëve, ata gjykojnë luftën tonë çlirimtare, gjykojnë vetëm UÇK-në, duke quajtur ndërmarrje të përbashkët kriminale”.

Tutje, Klinaku kërkoi nga Policia të mos të lejojë zyrtarët e Speciales që të hyjnë në shtëpi dhe të kryejnë bastisje.

“Në mungesë të fakteve vazhdojnë më filma, institucionet tona po heshtin, po na hyjnë në shtëpi, ne thirrëm këtë protestë kundër tyre, duke pasur parasysh se Policia është reaguesi i parë, kërkojmë që shteti të merret me ta. Përndryshe do të kemi reagime të vazhdueshme”, u shpreh ai.

Protestuesit gjuajtën telefonat në hapësirat e zyrave të EULEX-it.