34 vjet burgim dhe 22 mijë euro gjobë ndaj 14 të akuzuarve për kontrabandim me migrantë

Gjykata Themelore në Gjakovë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj 14 të pandehurve: S.S., B.P., T.F., H.K., B.E., A.I., V.N., I.S., (shtetas të Republikës së Kosovës), Sh.Xh., H.A.M., H.D., R.A., (shtetas të Republikës së Irakut), M.K., dhe I.Sh. (shtetas të Republikës Arabe Siriane), duke i dënuar (së bashku) me 34 vjet burgim dhe 22 mijë euro gjobë për kontrabandim me migrantë.

Sipas njoftimit të Gjykatës, thuhet se aktgjykimi është marrë nga kryetari i trupit gjykues Drilon Haraçia, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor.

Po ashtu në njoftim, thuhet se S.S., u dënua me 5 vjet burgim dhe 2 mijë euro gjobë; B.P., 4 vjet e 8 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë; Sh.Xh., 3 vjet burgim dhe 1 mijë e 500 euro gjobë; H.A.M., 3 vjet burgim dhe 1 mijë e 500 euro gjobë; H.D., 3 vjet burgim dhe 1 mijë e 500 euro gjobë.

Tutje, thuhet se R.A., u dënua me 3 vjet burgim dhe 1 mijë e 500 euro gjobë; M.K., 3 vjet burgim dhe 1 mijë e 500 euro gjobë; I.Sh., 3 vjet burgim dhe 1 mijë e 500 euro gjobë; T.F., 1 vjet e 5 muaj burgim dhe 1 mijë e 500 euro gjobë; H.K., 10 muaj burgim dhe 1 mijë e 500 euro gjobë.

Kurse, B.E., thuhet se u dënua me 1 vit e 6 muaj burgim dhe 1 mijë e 500 euro gjobë; A.I., 1 vit burgim dhe 1 mijë e 500 euro gjobë; V.N., 10 muaj burgim dhe 1 mijë e 500 euro gjobë; I.S., 10 muaj burgim dhe 1 mijë e 500 euro gjobë.

“Të pandehurit akuzoheshin se në periudha të ndryshme të vitit 2020 dhe 2021 kanë organizuar kontrabandimin e migrantëve – shtetas të huaj sirianë, me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejte të dobisë pasurore nga hyrja e paligjshme në Republikën e Kosovës, i cili nuk është shtetas i Republikës së Kosovës, ashtu që kanë organizuar automjete për në pikën kufitare në Jarinje duke i mundësuar kalimin e kundërligjshëm të kufirit Kosovë-Serbi”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Me këtë, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, akuzoheshin për “Kontrabandimi me migrantë” në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.