Aktakuzë në mungesë ndaj dy serbëve për dhunimin e një gruaje shqiptare gjatë luftës

Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK), ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë - Departamentin Special, kundër dy të pandehurve me inicialet I.R dhe D.D, për gjykim në mungesë, lidhur me një rast të dhunimit seksual gjatë luftës në Kosovë.

Prokuroria Speciale njofton se të pandehurit me iniciale I.R. dhe D.D. si pjesëtarë të forcave policore të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, kundër popullatës civile shqiptare në territorin e komunës së Prishtinës, duke ditur për ekzistimin e një sulmi të tillë, me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore, kanë kryer dhunim seksual ndaj gruas së nacionalitetit shqiptarë.

Me këtë rast viktima pësoj lëndime të rënda fizike në trup si dhe trauma të përhershme psikike.

“Me këto veprime të akuzuarit kanë kryer veprën penale ‘’Krimet e luftës kundër popullsisë civile’’ nga neni 142 të Kodit penal të Jugosllavisë ( i cili ishte në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale), aktualisht e inkriminuar si Krimet kundër njerëzimit nga neni 143 paragrafi 1 nën paragrafi 1.7 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës kompetente që të mbahet gjykimi në mungesë pasi që janë shterur të gjitha përpjekjet ligjore për ti gjetur të pandehurit”, thuhet në njoftim. /Zëri