Borrell: Kurti nuk e pranoi propozimin tonë, ndërsa Vuçiqi po

Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Josep Borrell, ka mbajtur një konferencë për media, ku ka folur rreth mbarëvajtjes së takimit të nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Sipas Borrellit, Kurti nuk ka qenë i gatshëm që ta pranojë propozimin e bërë nga diplomatët evropianë, ndërsa Vuçiqi po.

Ai tha se Kurti ka kërkuar njohje de facto nga Serbia, ndërsa Vuçiqi themelimin e Asociacionit.

“Ne kemi propozuar të zbatohen këto paralelisht, të sigurohet që të marrë diçka e të japë diçka. BE-ja dhe komuniteti i gjerë ndërkombëtarë, përfshirë partnerët amerikanë, e shohin këtë si rrugë të vetme për të funksionuar zbatimi. Dyja duhet të kenë garanci se veprimet shpërblehen, me masa nga pala tjetër. Sot, jam munduar me Kurtin e Vuçiqin të gjej rrugën para, duke u bazuar në propozimin tonë. Për fat të keq, pas takimit të gjatë, Kurti nuk ishte i gatshëm që të ecët para, të fillojë një proces kredibil për themelimin e Asociacionit. Ai insistoi të formalizohet njohja de facto si hap i parë”, ka thënë Borrell.