Ambasadori Malaj: Të natyrës strategjike marrëdhëniet mes dy vendesh, mirë u takofshim në Kosovë!

Aktori i njohur Petrit Malaj ka reaguar sot pas publikimit të dekretit për emërimin e tij si ambasador i ri i Shqipërisë në Kosovë.

Në një postim në Facebook, Malaj u shpreh i nderuar nga propozimi i kryeministrit Edi Rama dhe dekretimi i presidentit Bajram Begaj për të qenë ambasadori i ri në Kosovë.

“Në lutjen që i drejtoj Zotit për të qenë të gjithë bashkë triumfues në këtë sfidë profesionale, patriotike, shtetërore e shpirtërore që nuk ka asnjë shans tjetër përveçse të jetë e fituar në emër të gjithë shqiptarëve, i falënderoj për besimin e dhënë”, shkroi Malaj.

“E cilësoj këtë detyrë si të veçantë ndaj nuk do ndalem në asnjë mur apo pengesë që mund të më dalë përpara, për të çuar më tej zhvillimet aktuale, që përkthehen në zhvillim të përbashkët të qytetarëve tanë”, shtoi ai.

“Marrëdhëniet dhe bashkëpunimi Shqipëri – Kosovë, domosdoshmërisht janë të natyrës strategjike, me rëndësi të patjetërsueshme dhe me një rol unik për stabilitetin, sigurinë, zhvillimin e qëndrueshëm dhe perspektivën euroatlantike të dy vendeve dhe gjithë rajonit. Suksesi i këtij misioni nuk është i lidhur me asnjë emër individi, por është detyrimi fisnik i çdo shqiptari. Mirë u takofshim në Kosovë!”, tha në përfundim të postimit Malaj.

Aktori i njohur për shumë role në filmat shqiptarë do të zëvendësojë ambasadorin e deritanishëm Qemajl Minxhozi. /Zëri