A e dini pse është e rëndësishme t’i hiqni stolitë para se të flini?
Ka disa arsye pse nuk duhet të mbani kurrë stoli gjatë gjumit, ndaj duhet t’i hiqni para se të shkoni në shtrat.
Shumë prej nesh kanë një stoli të veçantë që na është aq afër zemrës saqë nuk e heqim kurrë. Përveç kësaj, ndonjëherë thjesht harrojmë t’i heqim stolitë para se të flemë, dhe ndonjëherë na duket si humbje kohe.
Megjithatë, ka disa arsye pse nuk duhet t’i mbani stolitë gjatë fjetjes:
Në mëngjes do ta keni të vështirë ta hiqni unazën
Mund të keni vënë re se duart dhe gishtat tuaj duken pak më të mëdhenj në mëngjes. Kjo ndodh sepse, kur qëndrojmë të qetë gjatë natës, lëngu grumbullohet në inde dhe shkakton një ënjtje të lehtë. Nëse ju zë gjumi duke mbajtur unazën, do të jetë shumë më e vështirë ta hiqni në mëngjes. Për ta hequr unazën nga gishtat e fryrë, do t’ju duhet të përdorni sapun të lëngshëm ose vaj vegjetal për ta ndihmuar të rrëshqasë, ose edhe të vendosni dorën në ujë me akull për ta zvogëluar ënjtjen.
Stolitë mund t’jua çrregullojnë gjumin
Fjetja me një gjerdan mund t’ju vërë në rrezik, veçanërisht nëse jeni të shqetësuar në gjumë. Mund të ngatërrohet në flokë ose të mbështillet rreth qafës, dhe nëse gjerdani juaj i preferuar ka varëse, ato mund t’ju godasin ndërsa ktheheni në gjumë dhe ju zgjojnë.
Mund ta irritojnë lëkurën
Disa materiale të përdorura për prodhimin e stolive, si nikeli, mund të shkaktojnë reaksione alergjike, kruajtje dhe skuqje. Ndërsa ari dhe argjendi mund të duken si opsione të sigurta, ato shpesh përmbajnë edhe metale të tjera. Nëse keni lëkurë të ndjeshme dhe jeni të prirë ndaj alergjive, sigurohuni që stolitë tuaja të jenë prej të paktën ari 14 karatësh. Një karat më i lartë do të thotë se ari është më i pastër dhe më pak gjasa të shkaktojë një reaksion.
Laprat e veshit mund të bëhen të varura
Fjetja me vathë të mëdhenj dhe të rëndë mund të zgjasë laprat e veshit tuaj, duke i bërë veshët tuaj të duken më të vjetër. Domethënë, veshët humbin elasticitetin me kalimin e moshës dhe nëse nuk u jepni pak kohë për të pushuar, mund të varen (para kohe). Mbajtja e vathëve gjatë natës gjithashtu mund të shkaktojë erë të keqe nga shpimi i veshëve. Kur sebumi i sekretuar nga lëkura juaj përzihet me qelizat e vdekura të lëkurës dhe bakteret, shkakton një erë të pakëndshme.
Mund të shkaktojë grumbullim të baktereve
Nëse nuk i hiqni rregullisht stolitë për t’i pastruar siç duhet, aksesorët tuaj të preferuar të modës mund të bëhen një terren për rritjen e papastërtive dhe baktereve. Për shembull, unazat që vijnë në kontakt të ngushtë me lëkurën shërbejnë si kurthe lagështie, duke krijuar mjedisin perfekt për rritjen e baktereve. /Telegrafi