Rama jep detaje për aksionin antidrogë në Shqipëri: 233 shpërndarës droge janë arrestuar

Një megaoperacion antidrogë është zhvilluar sot në Shqipëri, ndërsa për këtë ka reaguar kryeministri Edi Rama, i cili ka thënë se si rezultat i këtij aksioni janë arrestuar 233 shpërndarës droge.

Ai ka thënë se me këtë aksion janë shkatërruar edhe 23 rrjete kriminale dhe se është neutralizuar një burim i rrezikshëm që shkakton dëm te të rinjtë, raporton Zeri.info.

Rama përgëzoi Policinë e Shtetit, duke thënë se çdo ditë po afirmohet më shumë dhe po lufton krimin në Shqipëri.

“Superoperacioni i Policisë së Shtetit u ka hedhur prangat gjatë gjithë natës së mbrëmshme dhe deri në orët e para të mëngjesit 233 shpërndarësve të drogës, të cilët kishin në shënjestër të veprimtarisë së tyre kriminale nxënësit e shkollave. Pas një hetimi të imtësishëm e mbledhjeje të provave në të gjitha qarqet e vendit janë shkatërruar 23 rrjete kriminale dhe është neutralizuar një burim i rrezikshëm dëmi për shëndetin e më të rinjve, ndërkohë që kjo është një tjetër provë e ngritjes së luftës kundër krimit të organizuar në një nivel të ri”, u shpreh Rama. /Zëri