Deklarohet e pafajshme e akuzuara për falsifikim votash në zgjedhjet e vitit 2017

Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e akuzuara Suzana Mehmeti- Tenezhdolli është deklaruar e pafajshme ndaj akuzës se në bashkëkryerje me tetë të akuzuarit tjerë: Antoneta Reçica, Labinot Dragusha, Gresa Imeri, Lendita Rexhepi, Rexhep Reçica, Dardan Gerbeshi, Urim Krasniqi dhe Verona Rrahmani, kanë falsifikuar vota gjatë zgjedhjeve të vitit 2017.

Deklarimin rreth akuzës, e akuzuara Mehmeti-Tenezhdolli e ka bërë në seancën fillestare pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ilaz Beqiri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Plotësisht e pafajshme”, deklaroi Mehmeti-Tenezhdolli.

Kryetari i trupit gjykues Agim Kuçi, e njoftoi të njëjtën se ka të drejtë që brenda afatit prej 30 ditësh mund të bëjë kundërshtimin e provave, si dhe të paraqesë kërkesë për hedhje të aktakuzës.

Para leximit të aktakuzës, prokurori Beqiri tha se pas ngritjes së aktakuzës kishte vërejtur se ishte bërë një gabim teknik sa i përket mbiemrit të të akuzuarës ku në vend të Mehmeti-Reçica, duhet të jetë Mehmeti- Tenezhdolli, pjesa tjetër e aktakuzës mbetet e pandryshuar.

Ndryshe, në seancën e 18 prillit 2023, gjykatësi Kuçi kishte veçuar procedurën lidhur me të akuzuarën Suzana Mehmeti-Tenezhdolli.

Në atë seancë, ishin deklaruar të pafajshëm tetë të akuzuarit tjerë Antoneta Reçica, Labinot Dragusha, Gresa Imeri, Lendita Rexhepi, Rexhep Reçica, Dardan Gerbeshi, Urim Krasniqi dhe Verona Rrahmani.

Sipas aktakuzës së ngritur më 22 prill 2021, thuhet se më 22 tetor 2017, pas orës 19:00, në vendvotimin i cili gjendet në shkollën Fillore “Nëna Terezë”, në fshatin Tenezhdoll, Komuna e Prishtinës, të pandehurit në bazë të marrëveshjes paraprake, gjatë numërimit të votave, kanë falsifikuar rezultatet e votimit, për zgjedhjet lokale të deputetëve të Kuvendit Komunal të Republikës së Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se e pandehura Antoneta Reçica, në cilësinë e kryetares së këshillit të vendvotimit, ndërsa Labinot Dragusha, Gresa Imeri, Lendita Rexhepi, Rexhep Reçica, Dardan Gerbeshi, Urim Krasniqi, Suzana Mehmeti-Tenezhdolli dhe Verona Rahmani, anëtarë të këshillit të vendvotimit, kanë falsifikuar rezultatet e votimit, duke i regjistruar në mënyrë jo të saktë gjithsej 51 vota të kandidatëve brenda subjektit të njëjtë politik.

Sipas aktakuzës, kandidatëve të preferuar të tyre i kanë shtuar 2 vota, duke hequr 49 vota dhe duke i shtuar Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) 2 vota, po ashtu ia kanë hequr “Lëvizja Bashkimi” 3 vota, dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) 46 vota, cilat i kanë bartur në formularin e përputhjes të dhënave dhe rezultateve, me këtë rast kanë dëmtuar kandidatët brenda subjekteve politike dhe KQZ-në.

Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, nga Neni 219, par. 2, lidhur me Nenin 31 të KPRK-së.