Hoti thotë se qeveria “Kurti” ishte burim i lajmeve të këqija për Kosovën nëpër botë

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se është e nevojshme të listohen disa lajme që tregojnë mossuksesin e kësaj qeverie, duke thënë se kanë bërë dëme të mëdha.

“Unë nuk mund ta besoj që për tre vjet janë prodhuar lajme të këqija nga Qeveria më shumë sesa janë prodhuar që 23 vjet, të cilat janë prodhuar direkt nga qeveritarët, por edhe nga keqmenaxhimi i Qeverisë”, u shpreh ai.

Hoti e nisi fillimisht me trazirat në veri ka thënë se Kosova ka dashur ta shtrijë sovranitetin, por mënyra se si këto veprime janë bërë, pakoordinim me aleatët ka bërë që të nxisë dhunën.

“Të gjitha këto kanë bërë që sekretari i përgjithshëm i NATO-s t’i drejtohet presidentes, Vjosa Osmani që duhet koordinim edhe kur dërgohen forcat e Policisë së Kosovës në veri, sepse krijon situata për të cilat është përgjegjës KFOR-i”, theksoi Hoti, raporton Zeri.info.

Një gjë tjetër të cilën Hoti e përmendi ishte edhe përleshjet në Kuvend, për të cilat tha se kanë zënë ballinat e mediave botërore, teksa përmendi edhe tendencat për mbylljen e Klan Kosovës.

Ai tha se kjo gjë nuk do të duhej të ndodhte në një vend si Kosova, që ka synime demokratike. /Zëri