Duka: U mërzita për Kosovën më shumë se Agim Ademi, nga Shkupi e Prishtina dyert te ne janë të hapura

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i është kundërpërgjigjur kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili ditë më parë u ankua për mënyrën sesi Kuqezinjtë po ua marrin lojtarët Dardanëve.

Kreu i FFK-së kishte reaguar nga Bukureshti pak ditë më parë kur u përfol se pas Mirlind Dakut e Arbnor Mujës, Kombëtares shqiptare do të mundë t’i bashkohej edhe Lumbardh Dellova.

Sipas tij, nuk është në rregull që të ftohen lojtarët e Kosovës nga ana e Shqipërisë, ndonëse nuk kishte asgjë konkrete rreth lojtarit në fjalë.

“Ne kemi pasur dhe kemi mirëkuptim me Federatën Shqiptare, por mendoj se kjo nuk është në rregull të ftohen lojtarët që janë pjesë e Kombëtares sonë. Dellova ka qenë pjesë e Kosovës dhe është e papranueshme që ai të ftohet nga dikush tjetër”, ka thënë Ademi për “Demokracia”.

E kësaj deklarate mbrëmë i është kundërpërgjigjur presidenti Duka.

Kreu i futbollit shqiptar thotë se futbollistët nga të gjitha trojet shqiptare i kanë dyert e hapura për të luajtur për Kuqezinjtë.

Sipas tij, është për t’u shqetësuar nëse lojtarët e Kosovës iu bashkohen Kombëtareve të tjera, por jo edhe kur bëhet fjalë për Shqipërinë, shkruan “Express”.

Ai insiston se i bashkëndien, si humbjet, ashtu edhe fitoret e “Dardanëve”.

“Me Ademin dhe me të gjithë futbollin kosovar kam marrëdhënie të shkëlqyera dhe faktikisht jam mërzitur dje me humbjen e Kosovës, madje më shumë sesa Ademi apo të tjerët. Por është pak specifike, është pak temë delikate, por nuk shoh asgjë negative, përveçse gjërave pozitive. Nëse do pyesësh çdo qytetar të Kosovës jashtë kufijve të Kosovës, nga je? Thonë shqiptar, nuk është ndonjë erezi pse Daku luan për shqiptarët dhe aq më shumë kur është dëshira e tij. Është për t’u shqetësuar kur futbollistët tanë shqiptarë, të Shqipërisë, Kosovës apo të Maqedonisë luajnë për Zvicrën apo Gjermaninë, nuk kemi pse të shqetësohemi kur luajnë për Shqipërinë”, deklaroi Duka për “Ora News”.

“Unë i mirëkuptoj, por nuk shkojmë dhe gjuajmë futbollistët që janë në ekipin e Kosovës, kjo nuk ndodh kurrë. Është një dëshirë vetë e futbollistëve, ose nuk kanë gjetur hapësira në Kosovë. Më shumë ka qenë një dëshirë e futbollistëve sesa një kërkesë e jona. Kombëtarja shqiptare do jetë e hapur për çdo shqiptar që dëshiron të luajë për Shqipërinë, qoftë i lindur në Tiranë, Shkup, në Prishtinë”, vazhdoi kreu i FSHF-së.

E FFK-ja ka vazhduar me ankesa ndaj FSHF-së edhe mbrëmë përmes menaxherit të Kombëtares së Kosovës, Bajram Shala.

Sipas tij, FSHF-ja punoi prapa shpinës për Dakun e Mujën, derisa zbuloi se FFK-ja, shkaku i respektit, i kishte refuzuar disa lojtarë të vetë-ofruar shqiptarë për të luajtur për Kosovën.

“Kemi pakënaqësi të brendshme dhe duhet të kemi, sepse është stërtepruar. Ne i kemi kuptuar kur FSHF-ja i është ofruar lojtarëve me prejardhje nga Kosova dhe iu ka ofruar shansin të luajnë për Shqipërinë, por të merren futbollistë që kanë luajtur për Kosovën në miqësore, kjo është përtej reciprocitetit dhe bashkëpunimit të dy federatave. Kjo është përtej frymës sportive. Dy futbollistët e fundit (Mirlind Daku dhe Arbnor Muja) ishin pjesë të ekipit tonë kombëtarë edhe në grupmosha, ndërsa Shqipëria i afroi duke punuar prapa shpinës sonë dhe joshur ata”, u shpreh fillimisht Shala në një lidhje me “Top-News”.

“Kemi pasur disa raste kur futbollistë nga Shqipëria kanë shprehur dëshirë për të qenë pjesë e Kosovës në momente të ndryshme të karrierës së tyre, por për shkak respekti ose të themi fair-play me Federatën Shqiptare ne nuk i kemi afruar ata futbollistë. Ata na janë vetë-ofruar por s’dua t’ua përmend emrat që t’i vendos në ndonjë pozitë të palakmueshme dhe të gjykohen në Shqipëri. Kemi pritur një trajtim të njëjtë, por nuk ka ndodhur”.

Shala në fund propozon të vendoset një rregull që nuk i lejon lojtarët të shkojnë te njëri ose tjetri shtet.

“Kjo nuk shkon në të mirë të asnjërit nga ekipet kombëtare, është dukuri që duhet të shikohet edhe njëherë dhe të kemi një lloj vendimi që futbollistët e njërit shtet të përfaqësojnë atë shtet dhe të tjerët shtetin tjetër. Kaq është kjo punë”, përfundoi Shala.