Selmanaj pyet se cila është tema e takimit Kurti - Vuçiq në Bruksel

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, ka thënë se kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka shkuar në Bruksel për të marrë pjesë në dialog me Serbinë pa koordinimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Kështu tha Selmanaj gjatë fjalës së tij në seancën e Kuvendit të Kosovës, duke pyetur po ashtu se cila është tema e këtij takimi, i cili po ndodh sot në Bruksel.

“Sot po ndodh një takim në Bruksel. Për çfarë po takohen këta njerëz, cila është tema e takimit? Janë miratuar tri rezoluta para dhe pas çdo procesi të dialogut të raportohet në Kuvendin e Kosovës. Ky takim a po bëhet me koordinim a pa koordinim? Përgjigjja është që në koordinim me forcat politike të Kosovës jo, por në koordinim me kë? ”, tha Selmanaj.

Ai po ashtu tha se aleatët e Kosovës janë bërë bashkë me Serbinë për ta kundërshtuar politikën e Kosovës.