Sjellja aventureske e Kurtit bëri që aleatët të bashkohen për ta ndëshkuar Kosovën, thotë Selmanaj

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, në fjalën e tij në Kuvend ka tërhequr një paralele sa i përket koordinimit me aleatët ndërkombëtarë para 23 vjetësh dhe sot.

Ai ka thënë se sot është dita e 78-të që kur Kosovës i janë vendosur sanksione nga BE-ja e për çka tha se ky numër rastis të jetë me 78 ditë të bombardimeve kundër Serbisë, shkruan Zeri.info.

“Krahasoni dy situatat e Kosovës, në vitin 1999 kur ka qenë e okupuar dhe në luftë dhe me shumë pak buxhet, pa asnjë ambasadë, por falë koordinimit me aleatë nga ish-presidenti Ibrahim Rugova, arriti që t’i bind aleatët ndërkombëtarë ta bombardojnë Serbinë”, u shpreh ai.

Ndërsa ai tha se nëse e shohim situatën sot, Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, por falë moskoordinimit me aleatët dhe sjelljeve “aventureske” të qeverisë “Kurti” ka arritur të largojë miqtë dhe t’i bëjë ata të bashkohen kundër Kosovës.

“Falë sjelljeve aventureske të Kurtit, miqtë tanë janë bërë sërish bashkë, por kësaj here jo për ta bombarduar Serbinë, por për ta ndëshkuar politikën e kësaj qeverie, përmes saj për të ndëshkuar edhe popullin e Kosovës përmes sanksioneve”, u shpreh ai, ndër të tjera. /Zëri