“Baneri na shpëtoi, s’do t’i mposhtnim as po të luanim dy javë”, ish-kreu i Ligës rumune ua jep meritat tifozëve

Ish-kreu i Ligës Profesionale të Futbollit të Rumanisë, Dumitru Dragomir, ka komentuar ndeshjen mes Rumanisë dhe Kosovës, e cila përfundoi me fitoren e vendasve, por pati shumë tensione dhe ndërprerje për gati një orë.

Kosova u mposht 2-0 nga Rumania në “Arena Nationale” në kuadër të Grupit I për eliminatoret e Euro 2024.

Megjithatë, pati shumë tensione dhe ndërprerje për gati një orë shkaku i pllakatit të shfaqur nga tifozët rumunë, ku shkruante “Kosova është Serbi”.

Ky baner ose kjo pankartë dhe thirrjet raciste thuhet se janë edhe më meritorët për fitoren e rumunëve, pasi ekipi i Kosovës u dekoncentrua dhe u nervozua.

“Lum ai që nuk i ka parë të katër ndeshjet. Mungesa e ndeshjeve ndërkombëtare, të cilat na forcojnë mendërisht. Nëse do të ishin 50 mijë njerëz do të humbnim. E dini çfarë na shpëtoi? Na shpëtoi ai flamur”, ka thënë fillimisht Dragomir për Fanatik.ro.

Baneri i shfaqur nga tifozët ultras rumunë

“Na shpëtoi baneri, nuk do t’i mposhtnim nëse nuk do t’i nxirrnim nga koncentrimi. Po të mos bëhej ‘panarama’ që u bë… nuk i mposhtnim as po të luanim dy javë”.

“Të mos i falënderojmë, se nuk bëjnë asgjë të tillë askund në botë. Do të na dënojnë, por nuk kanë një paragraf rregullues për një gjë të tillë, por do ta lidhin me ksenofobinë”.

“Vendi i parë shkon për arbitrimin, në vendin e dytë publiku në përgjithësi merr notën 9, jo ata që bënë parregullsi në stadium, në vend të tretë është Edi Iordanescu për ndryshimet që bëri, sepse ekipi startues gaboi. Dhe në vendin e katërt është ekipi”.

“Ne patëm një fillim katastrofik, nuk mund të bënim një pasim, po dridheshim dhe ata mund të shënonin gol. Është mirë që ndodhi ajo që ndodhi, sepse ne i mërzitëm, i nxorëm jashtë ritmit dhe kjo ishte në avantazhin tonë, sidomos kur gjyqtari filloi të dilte kundër nesh, ai mërziti edhe stafin e tyre”, përfundoi ish-kryetari i Ligës Profesionale Rumune. /Telegrafi