“Fibulat ilire”, pulla e re postare në Kosovë

Posta e Kosovës ka njoftuar se nga sot ka lëshuar në qarkullim postar emisionin e pullave postare “Fibulat ilire”.

Në njoftim thuhet se ndër artefaktet e luajtshme të zbuluara në lokalitete antike arkeologjike në Kosovë pa dyshim rëndësi të veçantë kanë edhe fibulat ilire, shkruan Zeri.info.

“Fibulat bëjnë pjesë në objektet më të përdorura të zbukurimit nga të gjitha fiset ilire. Në disa raste përmes stolive është dëshmuar edhe vetë përkatësia ilire. Format dhe varietetet ishin të ndryshme: të thjeshta në formë të harkut ose të cilësuara si krijimtari me evolucion të veçantë, siç është fibula e spektaklit të dy spiraleve të ngjitura në mes vete. Forma të tjera që shfaqen në epokën e hershme të hekurit përfshijnë ato me hark, karficat në formë kafshe, karficat në formë gjarpri”, thuhet në njoftim.

Posta e Kosovës, përmes katër pullave postare, ka prezantuar katër forma të zbukurimeve nga kultura ilire. /Zëri