Diplomatët evropianë në takim me Vuçiqin

Fillimisht, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kanë nisur takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në orën 09:00.

Takimi i ndërmjetësuesve me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti do të pasojë në orën 10:00.

Takimi trepalësh do të mbahet në orën 11:00 dhe temë diskutimi do të ketë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, e arritur gojarisht mes Kurtit dhe Vuçiqit në muajin shkurt, shkruan REL.

Takimi vjen në kohën e tensioneve të larta në veri të Kosovës. Situata atje është acaruar qysh nga fundi i majit. Atëkohë, grupe serbësh kishin nisur protestat për të kundërshtuar vendosjen e kryetarëve shqiptarë – nën përcjelljen e policisë – në zyrat e komunave në veri.

Këta kryetarë kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit që janë mbajtur në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, por që janë bojkotuar nga popullata lokale serbe.

Protestat në zonë janë shndërruar disa herë në përleshje të dhunshme – më të rëndat kanë qenë më 29 maj, kur dhjetëra ushtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë mbetur të plagosur.