ZKA: Institucionet pa rezultate për mbrojtjen e viktimave të dhunës

Zyra Kombëtare e Auditimit ka njoftuar se institucionet kanë ndërmarrë disa veprime për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, megjithatë nuk janë arritur rezultate të kënaqshme për mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave. Kjo u shpalos në tryezën ku u prezantuan rezultatet e auditimit të performancës “Efektiviteti i institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje”.

“Lufta kundër dhunës në familje nuk është thjesht një detyrë, por një përgjegjësi morale. Bashkë mundtë bëjmë më shumë duke krijuar një shoqëri ku dëgjohen zërat e të pambrojturve, të përmirësojmë situatën për viktimat e dhunës në familje dhe të krijojmë një shoqëri më të sigurt dhe të drejtë për të gjithë”, deklaroi Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka përmendur disa nga nismat e institucionit që drejton për rastet e dhunës në familje si hartimi i Strategjisë Kombëtare për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave 2022-2026, hartimi i Protokollit Shtetëror për trajtimin e rasteve të dhunimeve seksuale, fuqizimi institucional e financiar i strehimoreve, në mbi 100% më shumë se në vitet e kaluara, dhe një sërë nismash të tjera të cilat gradualisht po ngritën në kuadër të standardeve të asaj që njihet si Konventa e Stambollit.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, tha se edhe përkundër përpjekjeve shumë vjeçare të institucioneve, përkundër angazhimit dhe masave të ndërmarra, rastet e dhunës në familje janë shtuar. Ai theksoi se kjo mund të merret edhe si rezultat i vetëdijesimit dhe raportimit të rasteve, por kjo nuk e eviton faktin se dhuna në familje është shumë prezente në shoqërinë tonë. Kjo shton nevojën që institucionet dhe në përgjithësi si shoqëri, të reagojmë dhe të marrim të gjitha masat për të luftuar këtë dukuri.

Shefja e Zyrës së UN Women në Kosovë, Vlora Nushi, tha se buxhetimi i përgjegjshëm gjinor dhe rritja e efikasitetit institucional në trajtimin e rasteve të dhunës në familje janë vendimmarrëse për këtë dukuri.

“Ne si UN Women, e shohim si vendimtare përfshirjen dhe intensifikimin e buxhetimit gjinor në çdo aspekt, meqë vetëm në këtë mënyrë investimi në përmirësimin e jetës së grave është më i qëndrueshëm”, theksoi Nushi. /Zëri