Gjykata refuzon propozimin e të paditurit për hedhjen e padisë së 2007-tës për shkak të ekzistimit të gjyqvarësisë

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka refuzuar propozimin e të autorizuarit të të paditurës “Durante Group” me pronar B.G, avokat Ibrahim Dobruna që padia e ushtruar për mos kryerjen e objektit ndërtimor në afatin e caktuar të hedhet poshtë për shkak të ekzistimit të gjyqtarisë apo litispedencës në rastin ku të njëjtit janë paditur nga Xh.M, M.M, E.M dhe E.M.

Një propozim i tillë është refuzuar nga gjykatësi i rastit Hysni Bardheci në seancën e së mërkurës të mbajtur në Divizionin Civil të kësaj gjykate.

Pavarësisht asaj se avokati i të paditurës, Dobruna deklaroi “…vijmë në konkuldimin e bazuar se në këtë çështje ekziston gjyqvarësia ngase pala paditëse në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ka dorëzuar padi me shenjën C.nr.173/2021 me datë 19 shkurt 2021 dhe më të njëjtën jemi njoftuar edhe për përgjigje në afatin lidhor sipas aktvendimit të gjykatës së përmendur më sipër”.

Dobruna gjithashtu theksoi se sipas ligjit gjatë kohës së ekzistimin të gjyqvarësisë për të njëjtën kërkesë padi nuk mund të iniciohet gjykim i ri midis palëve të njëjta dhe se në rastin kur bëhet një gjë e tillë gjykata hedhë poshtë padinë.

Mirëpo gjykata vlerësoi se në këtë rast duhet të vazhdohet me këtë padi meqenëse kjo çështje kontestimore është në zhvillim e sipër ku janë mbajtur disa seanca përgatitore, ndërsa çështja e gjyqvarësisë eventualisht mund të shqyrtohet nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, meqenëse siç e deklaroi i autorizuari i të paditurit kjo gjykatë gjithashtu ka pranuar padinë e njëjtë në vitin 2021.

Gjykata mori këtë aktvendim duke arsyetuar edhe faktin se fillimisht në bazë të padisë së datës 30 gusht 2007 i paditur ka qenë B.G mirëpo në seancat vijuese është zgjeruar padia.

Gjithashtu gjykata ka refuzuar propozimin e paditësit që gjykata lidhur me këtë çështje të shpallet jo kompetente në pikëpamje territoriale, kjo pasi që në këtë çështje kontestimore për kompetencën territoriale është vendosur me aktvendimin e gjykatës komunale në Mitrovicë me datë 26 dhjetor 2007 e ky aktvendim është vërtetuar nga Gjykata e Apelit të Kosovës.

Ndryshe në fillim të seancës avokati i paditësve Musa Damati ka dorëzuar për gjykatën një parashtresë së bashku me kontratën e lidhur mes palëve ndërgjyqëse në kopje të mjaftueshme, duke theksuar se përmes kësaj parashtrese kanë bërë edhe zgjerimin dhe plotësimin e padisë së paditësve për kompensimin në emër të qirasë dhe të gjitha shumave monetare të papaguara të përcaktuara si në kontratën e lidhur mes tyre.

I njëjti gjithashtu ka propozuar ekspertizë financiare dhe atë nga lëmia e ndërtimtarisë në mënyrë që të konstatohet detyrimi financiar që kanë të paditurit ndaj paditësve si dhe gjendja faktike e objektit duke u bazuar në standardet e ndërtimtarisë.

Mirëpo lidhur me këtë avokati Dobruna kërkoi shtyrjen e kësaj seance meqë në seancë i është dorëzuar parashtresa me propozime i duhet kohë ta shqyrtojë të njëjtën në mënyrë që të përgjigjet dhe të analizoj parashtresën.

Gjithashtu i duhet kohë në mënyrë që eventualisht të shohin mundësinë e propozimeve të reja që lidhen me këtë çështje e që ka të bëj edhe me kundërpadinë.

Një kërkesë e tilla u aprovua nga gjykata dhe seanca e radhës u caktua për datën 2 tetor të këtij viti.

Sipas padisë së ushtruar me 30 gusht 2007, N.M, S.M dhe F.M kanë ushtruar aktpadi për mos kryerjen e objektit ndërtimor në afatin e caktuar në bazë të kontratës së lidhur ndërmjet tyre dhe B.G pronarit të “Durante Group Real Estate Development”.

Përmes kësaj padie, paditësit kanë kërkuar nga gjykata që të obligojë të paditurin B.G që të kryejë objektin e ndërtimit sa më shpejtë dhe t’iu paguajë paditësve të gjitha obligimet financiare të gjertanishme si dhe ato të mëtutjeshme derisa t’iu dorëzojë çelësat e banesave dhe të lokaleve afariste në dorë.

Sipas përgjigjes në padi të datës 7 mars 2019 bazuar në faktet e trajtuara në të, i padituri ka kërkuar nga gjykata që pas shqyrtimit paraprak të padisë dhe të kësaj përgjigje në padi të marr aktgjykim për hedhje të padisë si jo të rregullt dhe të pa lejueshme ose që padia të refuzohet në tërësi si e pa bazuar.

Gjithashtu përmes përgjigjes në padi ka kërkuar nga gjykata që të detyrohen paditësit që të paditurit t’ia paguajë të gjitha taksat dhe shpenzimet e kryera lidhur me shpenzimet gjyqësore.

Ndërkaq, me datë 26 gusht 2021 Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë aktvendim me të cilin i është lejuar ndryshimi i padisë në kuptimin subjektiv për palën paditëse ashtu që në vend të paditësit S.M i cili ka vdekur, si paditës do të jenë trashëgimtaret e tij bashkëshortja XH.M dhe fëmijët M.M,E.M dhe E.M.

Ndërsa përmes parashtresës së dorëzuar sot në gjykatë paditësit kanë bashkangjitur kontratën e lidhur mes palëve me anë të së cilës kanë krijuar obligime kontraktuale dhe kanë përcaktuar detyrimet e të paditurit B.G i cili ka marr për obligim ligjor që në rast të mos përfundimit të projektit brenda afatit të caktuar kohor si në kontratë i njëjti të obligohet që për çdo muaj paditësve t’u kompensojë shuma të caktuara në emër të pagesës së qerasë.

Përmes kësaj parashtrese, paditësit kanë kërkuar që në kërkesë padinë e tyre tani të hyjnë edhe kërkesat për kompensim nga i padituri në emër të qerave të papaguara të cilat dalin si obligime kontraktuale për shkak të mos përmbushjes së kontratës nga pala e paditur për paditësit.

Ndërkaq, me 1 nëntor 2022 avokati i paditësve ka dorëzuar parashtresë për precizimin subjektiv dhe objektiv të kërkesëpadisë dhe për paraqitjen e fakteve dhe provave të reja , andaj përmes këtij precizimi subjektiv palë e paditur është përcaktuar personi juridik “Durante Group”, Real Estate Development sh.p.k e përfaqësuar nga B.G.

Përmes kësaj parashtrese paditësit kanë kërkuar nga gjykata që të obligohet e paditura “Durante Group“ që në emër të kompensimit të dëmit material të shkaktuar për shkak të mos përmbushjes së kontratës të ju kompensojë paditësve solidarisht shumën e investimit me mjetet e tyre vetanake për përfundimin e pjesëve të banesave të tyre të cilat i kanë në pronësi dhe atë gjithsejte në lartësi prej 300 mijë euro.

Gjithashtu kanë kërkuar nga gjykata që të obligohet e paditura që tu kompensojë paditësve vlerat e përcaktuara nga shqyrtimet gjyqësore duke u mbështetur dhe bazuar në obligimin kontraktual të nënshkruar midis palëve. /BetimipërDrejtësi