Pas festimit të golit me Zvicrën, Xhaka: E bëra se më pëlqen të provokoj

Zvicra e Granit Xhakës ka arritur të shënojë fitore kundër Andorrës të martën mbrëma në kuadër të kualifikimeve për kampionatin evropian “Euro 2024”.

Në këtë ndeshje protagonist në fitoren e “helvetikëve” ishte futbollisti me prejardhje shqiptare, Granit Xhaka, pasi arriti të realizojë një gol, duke dhuruar edhe një asistim te goli i parë i realizuar nga Itten në minutën e 49-të.

Xhaka vendosi që festimin ta bëjë me gisht në gojë, si kundërpërgjigje ndaj kritikëve të tij, pasi në ndeshjen ndaj Kosovës ai ishte kritikuar për paraqitjen e tij në lojë.

“Kemi lojtarë për të evoluar kështu, mund të vazhdojmë me dy sisteme, duke përfshirë edhe këtë”, ka thënë fillimisht Xhaka.

Në fund ai u pyet edhe për festën me gishtin në gojë, ka tha duke qeshur se: “Më pëlqen të provokoj”.

Ndaj Andorrës, gol realizoi edhe shqiptari tjetër, Xherdan Shaqiri krejt në minutat e fundit të lojës për 3-0.

Zvicra mbetet lider me 14 pikë në grupin I, para Rumanisë (11) dhe Izraelit (11).

Ndërsa, Kosova e sheh veten në vendin e pestë me katër pikë. /Zeri.info