Reagon Memli Krasniqi: S’ka sllogan që e ndryshon realitetin tonë!

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka reaguar ashpër pas ndërprerjes së ndeshjes Rumani - Kosovë si pasojë e thirrjeve nacionaliste të tifozëve rumunë "Kosova është Serbi".

Lideri i PDK-së i cili ka qenë ministër i sportit kur e ka anëtarësuar Kosovën në UEFA dhe FIFA, tha se nuk ka sllogan që e ndryshon realitetin tonë.

"Që nga 17 shkurti i vitit 2008, Kosova është shtet i pavarur, ndërkaq, që nga 3 maji i vitit 2016, Kosova është anëtare me të drejta të plota në UEFA. Slloganet politike, koret fashiste, fishkëllimat e sharjet drejt djemve tanë dhe Kosovës në Rumani - nuk na ndalin", tha Krasniqi.

Kreu i PDK-së, tha se Kosova, si shtet dhe si kombëtare futbollistike, do të paraqitet me krenari gjithandej nëpër botë, edhe ku nuk na duan e posaçërisht aty.

"Kemi punuar shumë për këtë ditë dhe nuk dorëzohemi para fashistëve të vegjël turbofolk. E përjetshme është Kosova!", tha ai. /Zëri