Kosova U21 s’ia del të shkaktojë befasi, mposhtet në fund nga Gjermania U21

Përfaqësuesja e Kosovës U21 ka pësuar humbje në ‘Fadil Vokrri’ 0-3 nga bashkëmoshatarët e tyre të Gjermanisë U21.

Në 45 minutat e para gola nuk pati dhe u mbyll me rezultatin baras 0-0 dhe pa shumë raste shënimi.

Gjithsesi ka qenë një dominim i lehtë nga gjermanët si në posedim të topit ashtu edhe me disa gjysmë raste të krijuara për gol.

Rasti më i mirë në ndeshje iu tregua mysafirëve, kur Martel nga afërsia gjuajti mbi portë.

Krejt në fund të pjesës së parë edhe Andi Hoti rrezikoi për Kosovën, por gjuajta e tij me kokë shkoi jashtë portës.

Megjithatë pjesa e parë u mbyll me rezultatin e bardhë 0-0.

Në fakt Dardanët u mbajtën mirë deri në minutën e 74-të, kur ylli i Dortmund, Youssoufa Moukoko realizoi për 0-1.

Vetëm katër minuta më vonë, Moukoko sërish doli në skenë duke shënuar me lehtësi brenda zonës për 0-2.

Krejt në fund të ndeshjes realizoi edhe qendërmbrojtësi Kleine-Bekel për rezultatin përfundimtar 0-3.

Pas tre ndeshjeve të zhvilluara, Kosova U21 zë vendin e katërt në grup me tre pikë, derisa Grupi D e kryeson Polonia me gjashtë pikë.