KOSTT: Ndërtimet afër tensionit të lartë rrezikojnë sigurinë jetësore

KOSTT-i përmes një njoftimi për media ka shprehur shqetësimin e thellë rreth ndërtimeve në afërsi të stabilimenteve të tensionit të lartë, të cilat sipas KOSTT-it, po ndodhin kohëve të fundit dhe të cilat mund të rrezikojnë seriozisht jetën e njeriut si dhe cenojnë integritetin dhe stabilitetin e sistemit elektroenergjetik të Republikës së Kosovës.

“Ditëve të fundit ekipet e mirëmbajtjes së linjave në KOSTT, pas rënies së linjës 110kV nr. 164/1(L123) që lidhë Nënstacionin Gjakova 1 me Nënstacionin Gjakova 2, e cila u shkaktua nga lidhja e shkurtër, dhe pas inspektimeve në teren kanë konstatuar që linja ka rënë në kontakt me një ndërtesë të paligjshme pranë trasesë së linjave energjetike të tensionit të lartë të KOSTT-it”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, në lidhje me këtë rast i cili cenon zonën e sigurisë, KOSTT-i ka njoftuar inspektoratin komunal të Komunës së Gjakovës si dhe organet kompetente për të ndërmarr masat e duhura.

“Në vitin 2015, bazuar në kërkesën e parashtruar dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi, KOSTT-i ka lëshuar kushtet teknike për ndërtimin e këtij objektit afarist, megjithatë përkundër Kushteve teknike të lëshuara nga KOSTT sh.a, objekti nuk është ndërtuar në zonën sipas kushteve të lejuara teknike në distancë prej minimum 5 metrave”, vazhdon njoftimi.

Sipas njoftimit, respektimi i rregulloreve të KOSTT-it për zonën e sigurisë është shumë i rëndësishëm për garantimin e sigurisë dhe funksionimit të drejtë të sistemit transmetues të energjisë elektrike.

Po ashtu, vazhdon njoftimit se, rregulloret e KOSTT-it sh.a, të cilat bazohen në normat dhe standardet ndërkombëtare, parashohin distancën e sigurisë në të cilën nuk lejohet asnjë ndërtim apo veprim në afërsi, i cili cenon këtë zonë të sigurisë, në mënyrë që të evitohet çdo rrezik eventual.

“KOSTT-i dënon fuqishëm veprimet e tilla të cilat fillimisht rrezikojnë jetën e njeriut dhe po ashtu cenojnë integritetin e funksionimit të sistemit transmetues të Republikës së Kosovës. KOSTT-i mbetet i hapur për bashkëpunim dhe zgjidhje të situatës në përputhje me kushtet e lejuara me legjislacionin që rregullon këtë fushë. Linjat e KOSTT-it janë struktura ekzistuese dhe ndërtimet që pasojnë duhet t’i përshtaten kushteve të saj, për të siguruar stabilitet dhe qëndrueshmëri të sistemit elektroenergjitik”, përfundon njoftimi.