Kurti takohet me Minxhozin, flasin për raportet Kosovë – Shqipëri

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka takuar ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozin, me të cilin folën për raportet mes dy vendeve.

Sipas Qeverisë, rezultatet e marrëdhënieve Kosovë – Shqipëri janë nënshkrimi i 184 marrëveshjeve, protokolleve e memorandumeve.

“Në takim u tha se zbatimi i këtyre bashkëpunimeve ka ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve, bizneseve e problematikave të mbartura ndër vite. Si rrjedhojë këto bashkëpunime janë gjithëpërfshirëse pasi prekin kryesisht fushat e sigurisë, tregtisë, drejtësisë, arsimit e kulturës”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Ndërsa, për marrëveshjet e nënshkruara në korrik të këtij viti, Kurti e Minxhozi folën për marrëveshjen për lehtësimin e procedurave të kontrollit për produktet me origjinë joshtazore.

Tutje, kreu i qeverisë e ambasadori shqiptar folën edhe për bashkëpunimin mes palëve për njohjen reciproke të profesionit të avokatit dhe të ndërmjetësit, avancimin e Qendrës së Përbashkët për Menaxhimin e Integruar të Kufirit dhe marrëveshjen për dhurimin e portalit e-inspection. /Zëri