Anija me 206 pasagjerë bllokohet në Groenlandë

Anija luksoze e lundrimit Ocean Explorer u bllokua të hënën në Alpefjord, një park kombëtar rreth 1400 kilometra në verilindje të Nuuk, kryeqyteti i Groenlandës.

Një anije lundrimi me 206 pasagjerë është bllokuar në një zonë të izoluar të Groenlandës lindore dhe ka nevojë për ndihmë, tha sot Komanda e Përbashkët Arktike e Ushtrisë Daneze (JAC).

Nuk raportohet për të lënduar dhe personat në bord nuk janë në rrezik. Sipas ushtrisë, gjithashtu nuk ka asnjë rrezik për mjedisin.

“Një anije lundrimi e bllokuar në parkun kombëtar është padyshim një shkak për shqetësim. Njësitë tona janë larg dhe moti mund të mos jetë i favorshëm,” tha shefi i operacioneve të JAC, Brian Jensen.

“Megjithatë, në këtë rast të veçantë, ne nuk shohim ndonjë rrezik të menjëhershëm për njerëzit apo mjedisin, gjë që është qetësuese,” shtoi ai.

Njësia më e afërt JAC është një anije inspektimi e cila është 1200 milje detare larg nga anija e lundrimit.

Kjo do të thotë se mund të arrijë në Ocean Explorer të premten në mëngjes, në rast se kushtet e motit janë të favorshme.

JAC tha se kishte kërkuar një tjetër anije lundrimi aty pranë që të qëndronte në zonë në mënyrë që të mund të ndihmonte pasagjerët nëse kushtet ndryshojnë. /abcnews