Hoti kritikon Qeverinë: Në mungesë të ideve po e shpenzon buxhetin përmes subvencioneve

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga rradhët e LDK-së Avdullah Hoti ka kritikuar qeverinë për mënyrën e shpërndarjes së buxhetit të shtetit.

Hoti përmes një postimi në Facebook ka thënë se në mungesë të ideve kjo qeveri po e shpenzon buxhetin përmes subvencioneve, raporton Zeri.info.

Postimi i plotë:

Pas dështimeve në çdo fushë, ia kanë mësyrë shpenzimit të buxhetit përmes subvencioneve.

Subvencionim i pajisjeve shtëpiake!

Subvencionim i energjisë elektrike!

Subvencionim i librave për nxënës!

Mos u çuditni kur të subvencionohen policët për uniformë dhe këpucë, apo pacientët për barnat nga lista esenciale, pasi po dështojnë tenderët në vazhdimësi për arsyet që vetëm ata i dinë.

Kjo lloj politike buxhetore shpërfaq varfërinë në dije të këtyre që po qeverisin. As praktikantë nuk mund tu thuash më, sepse praktika zgjatë gjashtë muaj deri në një vit.

Pas tri vitesh në qeverisje, është e qartë se ide nuk kanë për politika fiskale e buxhetore në kushtet e ekonomisë së tregut dhe konkurrencës vendore e të jashtme.

Ide nuk kanë si tërhiqen investimet, si prioritizohen investimet publike, apo si sigurohet vlera maksimale për paranë e shpenzuar nga buxheti.

Krejt çfarë dinë është subvencionimi përmes platformës ‘eKosova’, duke i kushtuar shtetit shumë më shtrenjtë.