Ish-ministri i Jashtëm gjerman: Jemi kundër një republike serbe në Kosovë

Ish-ministri gjerman për Evropën, Michael Roth, aktualisht kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme në Bundestag, tha se është kundër Republikës Sërpska 2 në Kosovë, duke theksuar se një strukturë federale që nuk e prish karakterin unitar mund të jetë opsion.

Në një bisedë me gazetarë kosovarë, pas takimeve me krerë të institucioneve, ai tha se Asociacioni i Komunave të Kosovës duhet të implementohet, por pa kërcënuar unitetin e Kosovës.

“Është shumë e vështirë të spekulohet për iniciativat e reja dhe për konceptet e reja, idetë e reja. Ishte mesazh imi për Qeverinë që të mbetet e përkushtuar ndaj dokumenteve që janë në tavolinë, që është implementimi i Marrëveshjes se Ohrit, që është kyç. Iniciativa franko- gjermane mund të jetë ndihmuese. Përsëri çështja më delikate është implementimi i Asociacionit. Që të jem shumë i qartë jam shumë kundër Republikës Sërpska këtu në Kosovë, por një strukturë federale një ndarje e drejtë e kompetencave që nuk është kërcënim apo rrezik për unitetin e Kosovës mund të jetë opsion për t’i kapërcyer kontestet e së kaluarës dhe për t’i përmbushur zotimet që janë në tavolinë qe 10 vjet. Dhe mendoj se nuk dua t’i lë në hije bisedimet e nivelit të lartë me spekulime. Dhe të dyja palët e dinë se sa me rëndësi është që të ecet para që të pajtohen për rezultate pozitive”, ka theksuar Rothi.

Duke e komentuar deklaratën e presidentit të Francës Emannuel Macron, i cili heqjen e vizave e lidhi me procesin e dialogut, Ruthi ka thënë se tani është koha që udhëtimi i kosovarëve pa viza të ndodhë.

“Jam i bindur se tani është koha për liberalizmin e vizave për njerëzit këtu në Kosovë. pezullimi nuk është ide e mençur dhe e mirë. E di që shumë njerëz këtu në Kosovë janë të zhgënjyer dhe kanë humbur durimin, sepse BE-ja jo gjithmonë ka luajtur një rol të drejtë kur është fjala për Kosovën. Vetëm sa për ta ilustruar me një shembull, liberalizimi i vizave. Ka qenë shumë e padrejtë dhe shpreh keqardhje për këtë, që njerëzit në këtë vend është dashur të presin kaq gjatë për liberalizimin e vizave, pavarësisht faktit se Kosova i kishte përmbushur kushtet dhe kriteret shumë vite më parë. Dhe kjo është arsyeja që shumë njerëz në këtë vend nuk i besojnë BE-së, nuk na besojnë ne”, ka thënë Rothi.