“Asnjë minutë më”, jeta e të mbijetuarve pas raportimit të dhunës në familje

Me vetullat herë-herë të rrudhosura - që ndër vite ia kanë lënë si gjurmë të përhershme tri vija në ballë - Kaltrina ka vendosur të flasë për pjesën më të errët të jetës së saj, pas 11 vjetësh heshtjeje.

Kjo histori nis kur ajo ishte 27 vjeçe. Atëkohë, Kaltrina - emër i vendosur nga redaksia e REL-it për ta ruajtur anonimitetin e saj - takoi një djalë me të cilin ishte njoftuar përmes rrjeteve sociale. Rreth dy vjet më vonë, ata u martuan.

“Viti i parë shkoi mirë. Ka dalë, por kthehej pas dy-tri orësh, katër-pesë orësh. Ka dalë e është kthyer. [Më thoshte] kam qëndruar te një shok. Më shkonte në mendje që po ndodhte diçka, por atëherë i besoja”, thotë Kaltrina, tani 40 vjeçe.

Ajo mban mend se kur filloi të nuhaste se bashkëshorti po e tradhtonte, ai filloi të bëhej më agresiv. Kaltrina thotë se ai sillej në këtë mënyrë edhe në prani të dy fëmijëve të tyre.

“Fëmijët nuk kanë sherr. Kur ka bërë zhurmë, më ka goditur... çika më rrinte mbi gjoks, nuk hante bukë. [Bashkëshorti] më ka gjuajtur me gotë, me pjatë... Gjithherë jam larguar, ia kam lëshuar rrugën”, kujton Kaltrina për Radion Evropa e Lirë.

Por, pas gati 11 vjetësh martesë, Kaltrina vendosi në fund të gushtit ta raportonte dhunën në familje në Policinë e Kosovës. Vendimin e mori pas një mesazhi që kishte marrë nga bashkëshorti i saj.

“Ia nisi duke sharë, më tha ‘kur të vij, do të të vras’. Edhe më s’guxova të pres. E mora rrugën të dal prej shtëpisë. Veç bëra ‘bismilah’ dhe thashë ‘Oh Allah, ndihmona të gjithëve’”, thotë Kaltrina.

Kur arriti në njërin stacion të Policisë së Kosovës në Prishtinë, ajo rrëfeu gjithçka.

“Unë kam thënë që e kam vështirë derisa të dal prej shtëpisë se, kur të dal, pastaj nuk e kthej kurrë më kokën. Atë minutë që e merr vesh familja ime [për dhunën], unë do të dal prej shtëpisë dhe mos prit që do të ta fal. S’mund të kthehem hatri i askujt”, thotë 40-vjeçarja.

Tani, ajo ka rreth dy javë që ndodhet në Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë.

Në këtë qendër strehohen viktimat e dhunës në familje. E, në bodrumin e kësaj ndërtese tani ndodhet shtëpia e re e përkohshme e Kaltrinës dhe fëmijëve të saj.

Në një dhomë të gjatë e të ngushtë ndodhen disa shtretër, ndërsa hapësira ngjitur saj shërben si kuzhinë. Kaltrina aty gatuan ushqimet për fëmijët e saj, kurse në një dhomë tjetër bën punëdore me një makinë qepjeje.

Dy fëmijët, nëntë dhe 11 vjeç, luajnë në oborrin e qendrës, ndërsa flasin edhe për momentin kur do të dalin nga aty. Ata shpresojnë që së shpejti do të shkojnë te familja e nënës së tyre për ta vazhduar shkollimin atje.

“Kam vendosur të kthehem te shtëpia e familjes sime sa ta marr veten. Vëllai im më ka thënë ‘mos i merr as teshat oj motër se do të t’i blej edhe më të mira’. Por, unë nuk dua t’i gëzojë askush tjetër ato”, thotë Kaltrina.

Kaltrina kishte tentuar ta raportonte dhunën në familje edhe një herë tjetër, në dhjetor të vitit 2021. Por, vjehrri i saj e kishte bindur të kthehej prapa. Këtë herë, Kaltrina shprehet e bindur se askush nuk do të kishte mundur ta ndalte.

“Më së miri ai rrugën e vet, unë timen. Tash normalisht që nuk e kam të lehtë derisa të adaptohem, por kur e di se çka më ka bërë, e di që do të më largohet shumë shpejt nga mendja. Shumë e kam duruar, por Zoti është i madh, asnjë minutë më...”, thotë Kaltrina.

Kur shtrihet për të fjetur natën, pranë fëmijëve të saj, ajo tenton të mendojë për një të ardhme më të mirë, se si do të punojë dhe do të sigurojë kushte më të mira jetese për fëmijët e saj.

Por, e rrethuar nga punime të bëra nga gra që kanë pasur fat të ngjashëm me të, Kaltrinën shpeshherë e mposhtin kujtimet e hidhura.

“Ndodh që deri në 3 të mëngjesit nuk më merr gjumi. Më kujtohet që shumë kam qëndruar me një person që s’duhet. Më ka bërë zullum, por e kam mbrojtur shkaku i fëmijëve. Kam dalë e kam fshirë [nëpër shtëpi] për bukë të gojës edhe m’i ka marrë paratë për të dalë, nuk kthehej krejt natën”, thotë ajo.

Kaltrina nuk është gruaja e vetme në këtë qendër. Elmedina Sejdiu, punëtore sociale në Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë, tregon se numri i viktimave të dhunës në familje që strehohen aty, arrin deri në 200 brenda vitit.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni KËTU.