Konjufca takohet me Rothin: Gjermania, aleat strategjik dhe partner i rëndësishëm i Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka njoftuar se ka pritur në takim kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Bundestag, Michael Roth.

Kojnufca ka falënderuar deputetin Roth për angazhimin dhe mbështetjen që ai dhe shteti gjerman i kanë dhënë Republikës së Kosovës përgjatë viteve në rrugën e saj evropiane, sidomos sa i përket procesit të liberalizimit të vizave.

Po ashtu, i pari i Kuvendit i ka kërkuar Roth që angazhimi gjerman për dialogun të vijojë pasi e konsiderojnë të rëndësishëm, për një proces parimor, efikas dhe të balancuar.

Duke i vlerësuar të shkëlqyera marrëdhëniet dypalëshe, Kryetari i Kuvendit po ashtu theksoi se Gjermania mike është aleat strategjik dhe partner i rëndësishëm i Republikës së Kosovës.

Njëkohësisht ai shprehu gatishmërinë për forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe e vlerësoi shumë të rëndësishme përkrahjen e Gjermanisë kundrejt proceseve të cilat i ka përpara shteti ynë.

Ndërsa deputeti dhe kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme në Bundestagun gjerman, Michael Roth, e falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen, duke rikonfirmuar mbështetjen e Republikës Federale të Gjermanisë për Republikën e Kosovës. /Zëri