Osmani takohet me Milanoviqin, theksohet nevoja për rritje bashkëpunimi në ekonomi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në vazhdën e takimeve bilaterale në kuadër të Procesit Bërdo Brijuni është takuar edhe me presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviq.

Ajo ka thënë se Kroacia është një ndër aleatët kyçë të Kosovës në rajon dhe strukturat euroatlantike, teksa marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve janë ndërtuar mbi lidhje miqësie që ekzistojnë historikisht ndërmjet dy shteteve. Ajo shprehu mirënjohjen e saj për gjithë mbështetjen që Kroacia ka dhënë për fuqizimin e shtetit të Kosovës, raporton Zeri.info.

Bëhet e ditur se të dy liderët diskutuan edhe mbi situatën në Kosovë dhe rajon, duke ritheksuar angazhimin për paqe e stabilitet.

“Presidentja Osmani ritheksoi gjithashtu synimin e Kosovës për anëtarësim në BE, NATO si dhe në Këshillin e Evropës, ku për momentin është duke u trajtuar aplikacioni i Kosovës në kuadër të Asamblesë Parlamentare. Mbështetjen nga Kroacia ajo e vlerësoi si kyçe në të gjitha këto procese.

Takimi i të dy presidentëve në kuadër të Procesit Bërdo Brijuni u përqendrua edhe në përkushtimin e Kosovës dhe Kroacisë për nxitjen e bashkëpunimit rajonal, adresimin e çështjeve jetike, si integrimi evropian, perspektiva e të rinjve dhe tema të tjera të interesit të dyanshëm”, thuhet në komunikatë.

Të dy liderët po ashtu biseduan edhe shprehën gatishmëri për ta rritur bashkëpunimin në fushën e politikës së jashtme, mbrojtjes, ekonomisë, si dhe në sfera të tjera. /Zëri