Këto janë temat kryesore që do të diskutohen gjatë Procesit të Brdo-Brione

Të hënën në Shkup do të mbahet takimi i liderëve të rajonit në kuadër të Procesit të Brdo-Brione.

Nikoqir i këtij takimi është presidenti i Maqedonisë Veriore, Stevo Pendarovski.

Lidhur me këtë Presidenca maqedonase ka publikuar pjesëmarrjen e presidentëve në këtë takim, si dhe ka bërë të ditura temat që do të jenë në fokus.

“Në fokus të takimit të sivjetshëm të liderëve të vendeve pjesëmarrëse në Procesin Brdo-Brioni në Shkup janë integrimi evropian, ndryshimet klimatike dhe emigracioni i të rinjve”, thuhet në njoftim.

Procesi Brdo-Brioni u mbajt për herë të parë në vitin 2013 me iniciativën e përbashkët të presidentëve të Republikës së Sllovenisë dhe Republikës së Kroacisë, në Brdo afër Kranjit.

Qëllimi kryesor i procesit është integrimi i plotë i vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian, stabilizimi i situatës në Ballkanin Perëndimor duke forcuar bashkëpunimin rajonal dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura. Udhëheqësit e vendeve të Procesit Brdo-Brioni takohen të paktën një herë në vit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar të dielën për në Shkup për pjesëmarrje në këtë samit.