Pamjet e filmuara nga ajri shfaqin pasojat e tërmetit të fuqishëm që goditi të premten Marokun

Tërmeti shkatërrues që goditi të premten Marokun, ka bërë që qindra mijëra njerëz të kalojnë netët në ambiente të hapura.

Ndërkaq deri më tani raportohet për mbi 2 mijë të vdekur dhe mijëra tjerë të lënduar, objekte të shkatërruara si dhe qytete pa energji elektrike, transmeton Telegrafi.

Se sa i fuqishëm ishte tërmeti e tregojnë më së miri pamjet e filmuara nga ajri, ku shihen shtëpitë, ndërtesat e shumë lokale afariste që janë bërë rrafsh me tokë.

Në anën tjetër, shumë shtete nga e mbarë bota, tashmë kanë shprehur gatishmërinë për të dërguar ekipet emergjente për të ndihmuar marokenët në operacionet e kërkim-shpëtimit.

Ndryshe tërmeti që ka goditur Marokun po konsiderohet si tërmeti më i fuqishëm në 100 vitet e fundit, kurse shumë besojnë se numri i viktimave mund të jetë më i madh.