Mbyllet edicioni i katërt i Autostradës Biennale në Prizren

Pas një rrugëtimi prej 9 vjetësh, Autostrada Biennale që u themelua në Prizren në vitin 2014, mbylli edicionin e katërt. Në këtë edicion, me mbështetjen e ITP-Prizren, u krijua Autostrada Hangar, ku u krijuan 17 vepra arti nga artistë të ndryshëm nga shumë vende të botës. Këtë vit, Autostrada bienale është shtrirë edhe në Prishtinë e Mitrovicë, ndërsa ka për qëllim simbolikën e artit bashkëkohor.

I mbajtur në hapësirat e ITP-së në Hangar, këtë edicion të autostradës bienale në Prizren, e karakterizoi një dinamikë e lartë e punës në krijimtari dhe inovacion.

" Ne mundohemi që pas secilit edicion , të nxjerrim përvoja , të nxjerrim mësime dhe ato nevoja të cilat i identifikojmë , më tutje ti adresojmë në edicionet e radhës”, ka thënë Vatra Abrashi, bashkëthemeluese e Autostrada Biennale.

Për të parë një rezyme të punës së këtij edicioni, erdhën mysafirë nga vende të ndryshme të Evropës.

" Mendoj që "Autostrada Hangar" është shumë e rëndësishme në kontekstin e artit në Evrope me atë se si punohet në Prizren, Prishtine dhe Mitrovicë. Kjo ka për qëllim të ketë vazhdimësi dhe të paraqesim më të bukurën”,tha Maria Lind, mysafire.

 Kuratoret që u angazhuan për këtë edicion thonë se Autostrada Bienale në Kosovë është shembull për të ardhmen e rajonit.

" Si bienale, mund ta mbushim me qëndrueshmëri, me shpresë dhe ëndërr, për të ardhmen që tregon se, edhe pse kemi mungesë të resurseve, për shkak të shumë fatkeqësive, siç janë luftërat dhe migrimet, ne mund t`i penalizojmë ato", tha Yvyl Durmoshogllu , kuratore e Biennales.

Kryetari i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, është shprehur i gatshëm që ta mbështesë në vazhdimësi një aktivitet të tillë .

" Unë si kryetar i komunës ndihem me fat që e kemi Autostradën bienale në Prizren dhe e falënderoj ekipin e jashtëzakonshëm të cilët po na bëjnë krenarë me punën e tyre dhe asnjëherë nuk do të mungojë bashkëpunimi dhe përkrahja ", tha Totaj.

Në këtë edicion morën pjesë 60 të rinj nga të gjitha komunitetet që prodhuan 30 vepra të ndryshme artistike, prej tyre 17 u krijuan në Hangar. Autostrada Biennale u themelua në vitin 2014, edicioni i parë u mbajt në vitin 2017, ndërsa edicioni i katërt kulmoi me krijimin e një ambienti Hangar këtu në ITP , ku do të shërbejë për aktivitete promovuese dhe inovative për të rinjtë./rtk