Policia po heton tri raste të vdekjes që ndodhën të premten në Kosovë

Policia e Kosovës ka nisur hetimet për tri raste të vdekjes që kanë ndodhur të premten, ku dy kanë ndodhur në Ferizaj dhe një në Rahovec.

Në rastin e parë në fshatin Sazli të Ferizajt, një mashkull është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Policia ka bërë të ditur se rasti është në hetime, transmeton Zeri.info.

Një rast i vetëvrasjes që ka ndodhur dje në Ferizaj, është duke u hetuar po ashtu nga Policia.

“Një mashkull kosovar është gjetur pa shenja jete. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion. Rasti në hetime”, thuhet në raportin e Policisë.

Ndërkohë rasti i tretë ka ndodhur në fshatin Pataqan i epërm, ku një person ka raportuar se ka gjetur babanë e tij të vdekur arat e tij.

“Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë. /Zëri