Abuzimi me alkool e drogë nga prindërit dëmton aftësinë intelektuale te fëmijët
Fëmijët e një prindi me çrregullim të përdorimit të alkoolit ose drogës, rrezikohen më shumë në pjesën e paaftësisë intelektuale, edhe nëse problemi qëndron vetëm tek babai, raportojnë studiuesit nga Instituti Karolinska në Suedi.
Sipas studimit, i cili është botuar në “eClinicalMedicine”, masat parandaluese duhet t’u drejtohen të dy prindërve.
Nëse një grua gjatë shtatzënisë konsumon alkool, mund të rrisë rrezikun që fëmija i saj të zhvillojë paaftësi intelektuale. Hulumtimet nga Instituti Karolinska tani tregojnë se të gjitha format e abuzimit me substanca, si tek nëna ashtu edhe tek babai, dhe jo vetëm gjatë shtatzënisë, mund të përbëjnë një faktor rreziku.
Studimi, i cili bazohet në të dhënat nga regjistrat suedeze, përfshin pothuajse dy milionë foshnja të lindura mes viteve 1978 dhe 2002 dhe prindërit e tyre. Studiuesit zbuluan se 1.2% e foshnjave të lindura nga prindër pa një çrregullim të tillë u diagnostikuan me aftësi të kufizuara intelektuale, krahasuar me 3% të foshnjave që kishin një prind me diagnozën e lidhur me çrregullim të përdorimit të substancave (abuzimi me alkoolin ose drogën).
Rreziku është më i lartë para lindjes
Rreziku është më i lartë nëse prindi është diagnostikuar para ose gjatë shtatzënisë dhe jo pas lindjes. Një diagnozë e çrregullimit të përdorimit të substancave e regjistruar para lindjes shoqërohet me më shumë se dyfishin e rrezikut të paaftësisë intelektuale tek foshnja, pavarësisht se cili prind kishte diagnozën.
Korrelacioni ishte më i dobët, por ende statistikisht i rëndësishëm pas rregullimit të faktorëve socio-ekonomikë dhe sëmundjeve shoqëruese psikiatrike te prindërit.
Alkooli është një faktor i madh rreziku
Paaftësia intelektuale u vu re se ishte shumë më e mundshme në problemet e lidhura me alkoolin gjatë shtatzënisë, ku rreziku ishte pesë dhe tre herë më i lartë varësisht nëse ishte nëna apo babai që kishte varësi të alkoolit. /Klankosova