Keqpërdorimet me biletat e ndeshjes Kosovë-Zvicër, FFK-ja me njoftim

Federata e Futbollit e Kosovës e ka njoftuar opinionin se biletat e ndeshjes Kosovë – Zvicër janë të personalizuara dhe nuk mund të transferohen te një person tjetër.

Biletat për ndeshjen Kosovë – Zvicër janë vendosur në shitje në tregun e zi me çmime shumë më të larta.

E pas këtij veprimi ka reaguar Federata e Futbollit e Kosovës, ku përmes një njoftimi ka bërë të ditur se biletat janë të personalizuara dhe nuk mund të transferohen te një person tjetër.

“Federata e Futbollit e Kosovës njofton edhe një herë opinionin se biletat e ndeshjes Kosovë – Zvicër janë të personalizuara dhe nuk mund të transferohen te një person tjetër. Në secilën hyrje të stadiumit funksionon sistemi digjital dhe do të bëhet kontrolli i poseduesve të biletave të personalizuara. Çdo abuzim me biletat do të paraqitet tek organet e rendit, me të cilat jemi duke bashkëpunuar ngushtë në parandalimin e keqpërdorimit të biletave për ndeshje. Andaj, FFK-ja fton qytetarët që të mos bien pre e mashtruesve në tregun e zi dhe çdo abuzim me bileta ta paraqesin tek organet e rendit”, thuhej në njoftim.

Ndeshja Kosovë-Zvicër luhet nesër me fillim nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në kuadër të kualifikimeve për kampionatin evropian “Euro 2024”. /Zeri.info