Aksion simbolik para stacionit policor në Bujanoc, Lutfiu: Shqiptarët po diskriminohen në Serbi

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Nevzad Lutfiu, ka kërkuar nga Ministria e Brendshme e Serbisë përmes një aksioni simbolik që ta respektojnë Kushtetutën për numrin e policëve nga komuniteti shqiptar.

Lutfiu, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka treguar që numri i policëve shqiptarë është tejet i vogël, si dhe shumë prej tyre janë afër pensionimit.

“‘Respektojeni Kushtetutën’ ishte thirrja që ia bëmë sot Ministrisë së Brendshme të Serbisë.

Neni 77 i Kushtetutës së Republikës së Serbisë thotë: ‘Lidhur me punësimin në organet shtetërore, në ndërmarrjet publike, organet e krahinës, vetëqeverisjes lokale duhet të kihet parasysh përbërja nacionale dhe përfaqësimi proporcional i pakicave nacionale’. Numri i policëve shqiptarë është tejet i vogël, madje shumë prej tyre janë afër pensionit”, ka shkruar Lutfiu.

Tutje ai ka thënë se as edhe një polic nuk është i pranuar viteve të fundit nga komuniteti shqiptar.

“I bëjmë thirrje Bashkësisë ndërkombëtare ta ketë vëmendjen te gjendja e shqiptarëve në Serbi, sepse diskriminimi ka prekur kufijtë e racizmit”, ka shkruar ndër të tjera Lutfiu.