Shkuarja e forcave speciale në veri, analistët me qëndrime të kundërta

Në takimin e sotëm ndërmjet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ky i fundit u shpreh se çdo zbarkim  forcave special duhet ta ketë miratimin  e KFOR-it  dhe ka nevojë për konsultim të afërt autoriteteve të Prishtinës dhe të KFOR-it.

Ndaj këtij qëndrimi të Stoltenberg-ut, Avni Arifi, ish-negociator në dialogun Kosovë-Serbi, u shpreh i habitur, teksa tha se nëse me të vërtetë është ashtu,  kjo është një  regres është një shkuarje prapa për Kosovën.

 Ai bëri të diture se dikur Policia e Kosovës nuk ka pasur asnjëherë nevojë t’i njoftojë askënd për veprimet e veta, por, shtoi ai, ne dalëngadalë kemi filluar ti vjelim frutat e veprimeve të gabuara të Qeverisë Kurti  në veri, që nga viti i kaluar .

“Ka pasur në mënyre permanente rekomandime, pra qeverisja ka trashëgimi në këtë vend që mos të veprohet  në veri pa koordinim me miqtë tanë me ata, të cilët kemi arritur këtu së bashku. Me vitet të tëra plotë veprime të institucioneve të Kosovës, ku  është kërkuar  koordinim me KFOR-in nuk ka pasur nevojë fare, sepse  gjithmonë ka pasur besim  reciprok dhe në të kaluare kurrë KFOR-i s’e ka ndaluar Qeverinë e Kosovës të marrë veprime që duhet, tash kemi një realitet të ri. Tash për çdo veprim duhet të marrim leje nga komandanti i KFOR-it”, ka deklaruar Arifi në RTK Prime.

Ndërkaq Bujar Dugolli, profesor universitar, takimin e sotëm në mes të presidentes Osmani dhe të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg nuk e konsideron si një zhvillim të ri.

“Dihet ne kemi një zotim të Kosovës që është marrë në të kaluarën sa i përket FSK-së, por unë mendoj se këtu aludohet te zotimi i FSK-se dhe që duhet të respektohet, ndërsa sa i përket Policisë së Kosovës, njësive të specializuara, kjo është në autoritetin e Kosovës që ta bëjë dhe nuk di nëse kjo duhet bërë me aprovimin e KFOR-it”, deklaroi Dugolli, derisa sqaroi se për këtë nuk ka marrëveshje mes palëve që të ketë miratim.

“Koordinimi dhe leja janë të ndryshme. Koordinimi dhe bashkëpunim mes institucioneve të sigurisë së Kosovës është obligim, sepse është një ushtri që quhet KFOR dhe Kosova e ka mirëpritur këtë dhe misioni i i tij është paqeruajtëse”, sqaroi më tej Dugolli.

E Melazim Koci, politikolog, shtoi se në rrethana normale do ta vlerësoja si kthim prapa, por në veri ne nuk kemi situatë normale.

Sipas tij, deklarimin e Stoltenberg e është kuptuar edhe në një aspekt tjetër, si brengosje e tij dhe e NATO-s për situatën e sigurisë në Kosovë.

“Nuk e përjashtoj mundësinë që ata të kenë informacion, që ne nuk kemi për mundësinë e trazirave nga ana e palës serbe dhe nuk e përjashtoj, gjithashtu, mundësinë që ata duan të sigurohen që nuk do të ketë ndërhyrje pa informacion, pa qenë të koordinuar me ta. Në deklaratën e tij potencohet termi informim dhe koordinim, që do të thotë kërkojnë që të informohen dhe koordinohen për veprime eventuale. Trazirat e mëparshme treguan se ata afektohen. Nuk janë palë që mund të rrinë atje neutrale”, deklaroi Koci.

Ai e vlerësoi se kjo situatë është më shumë shqetësim i tyre për mundësinë e përshkallëzimit të situatës, duke iu referuar deklaratës së djeshme të komandantit të KFOR-it për situatën e paqëndrueshme në veri.  

“Nuk përjashtojë mundësinë që KFOR-i dhe NATO të kenë informacione për lëvizjet e pjesës serbe. Nuk e kam fjalën vetëm për banorët serbë në veri , por edhe të forcave tjera serbe atje dhe dëshirojnë që të sigurohen që të kenë kontroll atje dhe të shkojnë në koordinim dhe informim për çfarëdo qoftë që mund të ndodh”, deklaroi mes tjerash Koci./rtk