Gazeta spanjolle: Shqipëria mes 24 destinacioneve më të mira të 2023

Për shekuj me radhë, kultura të ndryshme nga Lindja dhe Perëndimi janë bashkuar në vendin ballkanik. Shqipëria është një fuqi turistike në zhvillim. Fluturimet direkte funksionojnë prej disa muajsh nga aeroportet e Madridit dhe Barcelonës drejt këtij vendi të vogël të Europës Lindore. E strehuar midis vargmaleve malore të Ballkanit dhe Alpeve Dinarike dhe e lagur nga detet Adriatik dhe Jon, pasuria natyrore e Shqipërisë është kthyer në një dëshirë të lakmuar për shumë qytetërime nga Lindja dhe Perëndimi. Shqipëria është një vend befasues plot kontraste që ka mahnitur udhëtarët më kureshtarë.

Me një shtrirje prej 28,750 kilometrash katrorë,  Republika e Shqipërisë kufizohet në veri me Serbinë dhe Malin e Zi, në lindje me Maqedoninë e Veriut dhe në jug me Greqinë, shkruan në një artikull gazeta spanjolle e biznesit “Expansión”.

Vendi ka më shumë se 3 milionë banorë, një pjesë e madhe e të cilëve jetojnë në qytetet bregdetare Durrës dhe Vlorë dhe në Shkodër, pranë liqenit me të njëjtin emër, si dhe në kryeqytetin e tij, Tiranë. Dy të tretat e tjera të popullsisë banojnë në mjedisin e saj të gjerë rural.

Historia e Shqipërisë

Romakët e pagëzuan Shqipërinë për bardhësinë e majave të saj me borë. Më parë, grekët kishin themeluar disa polis (qytet shtet në Greqinë e lashtë), të rëndësishme në brigjet e tyre. Me ndarjen e Perandorisë në vitin 395, Shqipëria mbeti në anën e Bizantit dhe nën ndikimin e fesë së krishterë dhe të gjuhës greke deri në mesjetë. Me pushtimin turk, vendi u bë pjesë e Perandorisë Osmane midis shekujve XV dhe XX.

Pas një periudhe të shkurtër si e pavarur, Shqipëria nuk u kursye nga efektet e Luftës së Dytë Botërore dhe Luftës së Ftohtë që pasoi. Në vitin 1939 ajo i nënshtrohet pushtimit të trupave italiane të Musolinit, për t’u bërë më vonë një protektorat nazist. Në vitin 1944, kreu i Partisë së Punës Shqiptare, Enver Hoxha, mori nën kontroll shtetin shqiptar për të vendosur një regjim socialist që do të zgjaste deri në rënien e bllokut të Traktatit të Varshavës në vitin 1991. Sot shqiptarët e quajnë vendin e tyre Shqipëria, shqiponja, si emblema e flamurit të saj, një shqiponjë dykrenore që shikon vazhdimisht nga Lindja dhe Perëndimi.

Tirana, kryeqyteti mesdhetar

Nëse ka diçka që lidh Spanjën me Shqipërinë, janë ujërat e Mesdheut, “Mare Nostrum”. Do të jetë pikërisht ajo apo marrëdhënia e saj e ngushtë me Italinë fqinje që e bën kryeqytetin e saj, Tiranën, një qytet multikulturor, të hapur ndaj botës dhe larg konflikteve gjeopolitike në Ballkan të kohërave të tjera. Me 600 000 banorë, rruga Ismail Qemali është epiqendra e jetës shoqërore të Tiranës, një vend për të qëndruar deri vonë, dhe ku mund të provoni rakinë, një pije tradicionale të bërë në shtëpi ose një birrë me emrin e qytetit.

Tirana është trashëgimtare e të shkuarës së pasur dhe të trazuar të vendit, një histori që shqiptarët kanë arritur ta kthejnë në një burim tërheqës. Për shembull, sot mund të shijoni gastronominë lokale në një nga restorantet e shumta të Bllokut, lagje e dikurshme e elitës komuniste, hyrja e së cilës ishte e mbyllur për qytetarët e thjeshtë. Ndër atraksionet artistike spikat Bunker’Art, një bunker i vjetër i shndërruar në një muze të kujtesës historike. E gjithë kjo e rrethuar nga kisha ortodokse, xhamitë osmane dhe bulevardet e mëdha rezidenciale të stilit francez.

Plazhet e Rivierës ShqiptareBregdeti jugor i Shqipërisë njihet me pseudonimin e “Karaibeve Evropiane” dhe me arsye të mirë. Nga Vlora në Parkun Kombëtar të Butrintit, shtrihen më shumë se 100 kilometra plot me plazhe me guralecë dhe ujë bruz. Një parajsë për vendasit dhe të huajt që ia vlen të udhëtoni nëpër rrugën gjarpëruese SH-8.

Në Rivierën Shqiptare, destinacionet urbane të rezervuara për familje si Saranda apo Himarë bashkëjetojnë me ofertën për publikun më të ri dhe më të gjallë të resorteve të mëdha në Jalë apo Ksamil. Gjithashtu mund të gjeni plazhe me natyrë pothuajse të virgjër si ato të Borshit apo Gjipesë dhe monumente arkitekturore mbresëlënëse, si kalaja e Ali Pashës në Porto Palermo.

Ksamili

Ky qytet në buzë të kufirit grek është vendi i përsosur për të nisur udhëtimin tuaj përgjatë rivierës shqiptare. Një parajsë e vërtetë, ku plazhet me ujëra bruz dhe rërë të bardhë, nga të paktat në vend, i rezistojnë ende mbipopullimit turistik.

Parku Kombëtar i Butrintit

Në bregdetin jugor të Shqipërisë, në kufi me Ksamilin, shtrihet Parku Kombëtar i Butrintit, një enklavë e kryesuar nga qyteti antik me të njëjtin emër, ku prania njerëzore është dokumentuar që nga epoka e bronzit. Mbetjet e teatrit grek të Butrintit janë pjesë e këtij kompleksi arkeologjik.

Një vend i zhytur në histori

Vendi antik i Butrintit u shpall një Trashëgimi Kombëtare e UNESCO-s në vitin 1992. Që daton 3000 vjet më parë dhe shtrihet në 200 hektarë, qyteti ka qenë i lakmuar nga qytetërime të ndryshme, duke përfshirë grekët, romakët, bizantinët, venecianët dhe osmanët.

Saranda

Saranda është porti natyror i hyrjes në Rivierën Shqiptare dhe një nga zonat më të urbanizuara me aktivitet tregtar intensiv. Një vend mes maleve të thepisura dhe limaneve të vegjël që do t’ju kujtojë destinacionet konvencionale të Mesdheut.

Plazhi i Bunecit

Ndërsa largohemi nga Saranda, fillojmë të gjejmë plazhe më të qeta, pothuajse të virgjëra, ideale për ata udhëtarë që preferojnë vetminë, si ai i Bunecit.

Plazhi i Borshit

Borshi është një plazh spektakolar dhe i jashtëzakonshëm 7 kilometra i gjatë. Gjelbërimi i bregdetit bie në kontrast me bruzën e gjirit, ku nuk do t’ju pengojnë as hamakët dhe as çadrat.

Plazhi i Qeparos

Më në veri ndodhet fshati i bukur i Qeparos, një vend i qetë ku shqetësimi juaj i vetëm do të jetë të shmangni guralecat përpara se të zhyteni në ujë.

Plazhi i Porto Palermos

Gjiri i Porto Palermos ofron një sërë limanesh të vegjël e të qetë që mund t’i zbuloni në një varkë argëtimi. Peizazhi ndërpritet vetëm nga disa bunkerë betoni në breg të detit që ish-lideri Enver Hoxha ndërtoi në kohën e komunizmit.

Kalaja e Ali Pashës

E lidhur me bregdetin e Porto Palermos përmes një istmusi qëndron kështjella e Ali Pashës, një kështjellë, e quajtur sipas një guvernatori osman të shekullit të XIX me ndikim të madh në zonë. Mund të vizitohet gjatë ditës, në mënyrë që të shihni pamjet e pakrahasueshme të gjirit.

Plazhi i Llamanit

Mes dy kodrave ndodhet plazhi i Llamanit, një vend shumë i pëlqyer nga turistët vendas ku janë disa resorte, bare dhe restorante me çmime shumë të mira. Ka parkim falas!

Plazhi i Himarës

Himara është një tjetër vend i Rivierës Shqiptare, e cila shquhet për tri plazhet me rërë të njëpasnjëshme që hapen në një gji spektakolar me ujëra të pastër kristal. Një vend kontrasti mes turizmit familjar urban dhe fshatrave autentike shqiptare që do t’i gjeni vetëm pak kilometra në brendësi të vendit.

Plazhi i Livadhit

Plazhi i Livadhit është një strehë e natyrës midis Himarës dhe Jalës, që nga ana e tij ka të gjitha shërbimet e nevojshme për turistët si bare plazhi, tarraca dhe restorante. Një zonë ranore nga ku mund të shihni Kalanë e Himarës dhe malet mbresëlënëse që e rrethojnë atë.

Plazhi i Jalës

Në zonën e Jalës ka disa plazhe me guralecë, disa të rezervuara për turizmin familjar, dhe të tjera të kolonizuara nga lokalet, ideale për udhëtarët që preferojnë festat.

Plazhi i Gjipesë

I fshehur nën kanionin e Gjipesë, plazhi homonim bëhet një shpërblim i çmuar pasi të kapërcehet aksesi i tij i vështirë. Është një vend i frekuentuar nga të rinjtë, i kufizuar nga shkëmbinj të mëdhenj, i cili ka një zonë kampingu dhe disa restorante.

Plazhi i Dhërmiut

Plazhi i Dhërmiut, kufiri i fundit i rivierës shqiptare, shquhet për rërën e tij me guralecë, ofertën e tij të sporteve ujore dhe fluksin e lartë të turizmit vendas.

Gjirokastra: Vendi i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-sNë brendësi të vendit dhe pranë kufirit me Greqinë ndodhet qyteti antik i Gjirokastrës, një ndalesë e pashmangshme nëse do të udhëtoni drejt Shqipërisë. E themeluar në shekullin I pas Krishtit, ajo ruan gjurmë të shumta të Perandorisë Bizantine, si kalaja e Argjirokastrës, e përkthyer si kështjellë e argjendtë, mbi të cilën u krijua një qendër e rëndësishme tregtare.

Muzealizimi i disa ndërtimeve civile dhe fetare të periudhës osmane, si dhe i shtëpive të shkrimtarit Ismail Kadare apo politikanit Enver Hoxhá, kanë ndihmuar që Gjirokastra të njihet si Trashëgimi Botërore nga UNESCO që nga viti 2005.

Berati, një vend mistikNë skajin tjetër të vendit, në veri, ndodhet qyteti i njëmijë dritareve, Berati. Është një enklavë që shtrihet në të dy anët e lumit Osum, megjithëse pamja e tij mund t’ju kujtojë në mënyrë të paqartë Bregun e Amalfit në Itali. Qyteti ruan planimetrinë e tij mesjetare dhe është shtëpia e Muzeut Kombëtar Ikonografik Onufri, me një koleksion interesant të simboleve fetare që arritën t’i mbijetonin revolucionit kulturor të vitit 1967.

Qendra e saj historike, e cila bashkon lagjen myslimane të Mangalemit, lagjen ortodokse të Goricës dhe Kulës, rreth kalasë, mundësoi pranimin e tij si një vend i trashëgimisë botërore nga UNESCO, në 2008./atsh