Dëshmia e Abrahams në Speciale, “përpjekje e dështuar e Prokurorisë”

Tri senacat e fundit pranë Dhomave të Specializuara në të cilat ka dëshmuar veç një dëshmitar, kanë qenë kryetemë e ditëve të fundit.

Në rastin kundër ish-krerëve të UÇK-së dëshmitari i prokurorisë Fred Abrahams, u mor gjatë në pyetje lidhur me raportet e tij për kohën e luftës, për të cilat iu desh të pranoj disa herë se ka bërë gabime, dhe se ka përdorur terminologji që s’është dashur, e ka cituar informacioneve të pa faktuara duke u bazuar në mediat serbe.

Zmbrapsja nga raportet e tij u komentua si fitore e mbrojtjes së Kadri Veselit, i cili ia quajti Abrahamsit raportet, riciklim i shkrimeve serbe.

Në kohën entuziazmit për një fitore potenciale kundrejt prokurorisë, avokati i akredituar nga Specialja, Taulant Hodaj thotë se bëhet fjalë veç për një provë mes qindra provave e dëshmitarëve.“Kjo mund t’i kontribuoj por ka aq shumë prova dhe aq shumë dëshmitarë të cilët do të merren, tërësia e tyre do të vendosë në lidhje me fajësinë apo pafajësinë e të tyre.  Sidoqoftë çdo pjesë e vogël e mozaikut e përmbush mozaikun e madh, çdo provë duhet të luftohet të sfidohet e edhe ky raport. Por mos të pritet që nëse rrëzohet ky raport atëherë këta të dalin të pafajshëm”, ka deklaruara ai.


E, avokati tjetër i akredituar nga kjo gjykatë, Kadri Osaj thotë se Abrahams ka rezultuar një përpjekje e dështuar për Prokurorinë e Specializuar.

“Ka qenë një përpjekje të sigurimit të një prove rrethanore për ta forcuar aktakuzën e saj, mirëpo nga kjo përpjekje e dështuar dolën shumë rrethana në shesh dhe u diskreditua kjo provë e cila nuk mund ta forcojë akuzën e prokurorisë”, ka thënë ai.

Në çështjen gjyqësore kundër ish-krerëve të UÇK-së deri tani janë dëgjuar 21 dëshmitarë të ZPS-së, përfshirë zyrtarin e organizatës ndërkombëtare “Human Right Watch”.

Ndërsa, vetëm pesë prej tyre kanë dëshmuar pa masa mbrojtëse dhe në seanca të hapura për publikun./dukagjini