Osmani takohet me Admiralin e NATO-s, Rob Bauer: Kosova do të vazhdojë të punojë me aleatët për sfidat e sigurisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në selinë e NATO-s, është pritur në takim nga Admirali Rob Bauer, Kryesues i Komitetit Ushtarak të NATO-s.

Në një komunikatë nga Zyra e Presidentes, thuhet se në takim u diskutua për kontributin e jashtëzakonshëm të NATO-s për lirinë dhe sigurinë e vendit tonë, thellimin e bashkëpunimit Kosovë-NATO, si dhe koordinimin ndërmjet institucioneve te sigurisë së Republikës së Kosovës dhe KFOR-it.

“Presidentja shprehu mirënjohjen e thellë për përkushtimin e grave dhe burrave nga forcat aleate për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend dhe rajon”.

“Në takim u diskutua edhe për zhvillimet e fundit të sigurisë në vend e rajon, përfshirë edhe sulmet e vazhdueshme nga grupet kriminale serbe në veri të vendit kundër forcave të NATO-s, Policisë së Kosovës, qytetarëve e gazetarëve, me ç’rast, Presidentja theksoi se sfidat e sigurisë nuk janë asnjëherë individuale, por përgjegjësi kolektive. Në këtë frymë, Presidentja nënvizoi se Republika e Kosovës, si partnere e përkushtuar e NATO-s, do të vazhdojë të punojë ngushtë me aleatë për t’i adresuar bashkërisht sfidat e sigurisë, si dhe për ta promovuar paqen dhe sigurinë”, thuhet në komunikatë.

Osmani foli edhe për vendosmërinë e palëkundur të Kosovës për anëtarësim në NATO, dhe përfshirjen në Programin e Partneritetit për Paqe, duke nënvizuar nevojën për kreativitet dhe fleksibilitet për ta lehtësuar integrimin e plotë në NATO./Zëri