Spahiu: Deklarata e Stoltenberg më shumë luftënxitëse sesa ftesë për paqe

Në një konferencë për media pas takimit me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se çdo zbarkim i Forcave Speciale të Kosovës, përfshirë Policinë, kërkon koordinim dhe konsultim të afërt me KFOR-in.Profesori Nexhmedin Spahiu, analist i çështjeve të rajonit, ka komentuar këtë deklaratë që sipas tij, duket më shumë si një ftesë për luftë sesa një përpjekje për të arritur paqe në Kosovë.

Spahiu në një lidhje direkte shprehet i befasuar nga kërkesa për koordinim të ngushtë me KFOR-in dhe ka theksuar se kjo kërkesë mund të interpretohet si një dëshirë për të hequr autoritetin e Kosovës mbi Policinë dhe ashtu përçmimin e sovranitetit të saj.

“Më befasoi në fakt ajo kërkesa për punën e Policisë, gjithsesi kjo nuk është një çështje që Kosova duhet të lëshoj pe. Domethënë nëse Kosova lëshon pe për punën e Policës atëherë do të duhet të heq dorë nga sovraniteti faktikisht”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Spahiu shpreh shqetësimin se deklarata e Stoltenbergut mund të jetë pjesë e një skenari të ndjeshëm për të shtyrë për një konflikt, në vend të gjetjes së një zgjidhjeje të paqësorë për çështjen e Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka thënë se këto deklarata kontradiktore mund të shtyjnë palët në rajon drejt tensioneve dhe konfliktit të mundshëm.

“Është një çështje thjesht dikush dëshiron të bëj luftë, të nxit konflikte, atëherë jep deklarata kontradiktore. Edhe këtu derisa të arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për njohjen deri atëherë ne gjithmonë jemi në buzë të konfliktit, buzë luftës. Nëse aleatët, domethënë nëse NATO, SHBA duan ta zgjedhin këtë çështje me paqe ose me luftë, ne akoma këtë nuk e dimë. Dhe natyrisht nëse kanë vendosur ta zgjedhin me luftë atëherë kjo është mënyra sesi bëhet, domethënë japin deklarata kontradiktore, palët nxiten në konflikt të mëtutjeshëm dhe atëherë zhvillohet skenari i paraparë. Për mu kjo deklaratë ishte shqetësuese”, është shprehur Spahiu.

“Ka edhe anën tjetër të medaljes, ana tjetër është që edhe ja Vuçiqit në po të mbajmë krahun ty, eja lësho pe në bisedime. Por, mund të jetë edhe një anë tjetër thjesht mund të jetë edhe nxitje, nëse shkon në konflikt atëherë qëllimi është ky një skenar i mundshëm është që të nxitet Serbia ta sulmojë Kosovën dhe më pas NATO ta sulmojë Serbinë. Dhe ta fus në arbitrin e vet, por natyrisht kjo nuk behet aq thjesht.  Prandaj kjo deklarata e Stoltenberg duket më shumë luftënxitëse sesa ftesë për paqe”, ka deklaruar tutje Spahiu./dukagjini