Gruda: Në vend që Haxhiu të japë llogari për humbjen e mostrave të Deharit, ajo sulmon Prokurorinë

Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në PDK-së, Përparim Gruda ka pasur një mori kritikash ndaj ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, që sipas tij në vend se të japë përgjegjësi për humbjen e mostrave të Astrit Deharit ajo sulmon Prokurorinë.

Ai ka thënë se ky nuk është qëndrimi i vetëm kontradiktor dhe jo profesional i ministres Haxhiu, pasi sipas tij ajo në shumë situata ka mbrojtur edhe të akuzuarit për korrupsion, raporton Zeri.info.

“Gjatë kësaj periudhe, ne kemi parë që përveç sulmeve direkte ndaj prokurorisë, ajo ka marrë në mbrojtje të korruptuarit e partisë së saj. Albulena Haxhiu, në kundërshtim me rolin e saj për të ruajtur dhe forcuar integritetin e organeve të drejtësisë, është shndërruar në një zëdhënese të të akuzuarve për korrupsion, Martin Berishaj, Nagip Krasniqin, Rozeta Hajdarin dhe të tjerët”, shkroi ai ndër të tjera.

Gruda ka thënë se për gjatë këtyre dy viteve qeverisje, ministrja Haxhiu ka dëshmuar se nuk duhet të jetë në krye të Ministrisë së Drejtësisë. /Zëri