Bislimi para studentëve holandez: BE-ja është destinacioni, fati e vizioni ynë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi është duke qëndruar për vizitë në Holandë, ku sot ka zhvilluar një bisedë me studentë të marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Leiden në Hagë dhe diplomatë të rinj.

Bislimi ndër tjera foli për zhvillimin e Kosovës dhe progresin socio-ekonomik që ka njohur vendi, veçanërisht gjatë 2 viteve të fundit, raporton Zeri.info.

“Përtej barrierave me të cilat vendi është përballur, Kosova ka treguar potencialin e saj për zhvillim. Vëmendje të veçantë ka patur në rritjen e qëndrueshme dhe shpërndarjen e drejtë e të barabartë tek qytetarët. Zhvillimi i Kosovës u reflektua dhe në renditjet e indekseve ndërkombëtare”, u shpreh ai ndër të tjera.

Zëvendëskryeministri Bislimi ka folur edhe për mbështetjen që qytetarët kanë për Bashkimin Evropian dhe synimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në këtë union.

“Bashkimi Evropian është vizioni, fati e destinacioni ynë”, tha ai ndër të tjera.

Bëhet e ditur se Bislimi ka folur edhe për prapavijën e procesit të dialogut me Serbinë dhe Marrëveshjen Bazike të arritur këtë vit.

“Ai tha se marrëveshja duhet të zbatohet në plotni, pa vonesa dhe pa kushtëzime, përmes një plani të sekuencimit të drejtë, të balancuar e gjithëpërfshirës”, thuhet në komunikatë. /Zëri