Osmani: Kosova sukses i NATO-s, forcat keqdashëse po duan ta rrënojnë atë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova është sukses historik i aleancës ushtarake, NATO dhe se sipas saj, forcat keqdashëse po duan ta sfidojnë dhe ta rrënojnë atë.

Gjatë konferencës për media në Bruksel me sekretarin e përgjithshëm të NATO-së, Jens Stoltenberg, Osmani ka thënë se nuk do të lejojnë që veriu i Kosovës të jetë fushëbetejë për arritjet hegjemoniste të autokratëve rajonalë, duke aluduar në presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Jam këtu si dëshmi e orientimit strategjik të Kosovës. Jemi shumë mirënjohës për lidershipin e NATO-s në këtë kohë goxha të rëndë. Më lër të shpreh mirënjohjen e popullit të Kosovës për rolin e NATO-s për të shpëtuar jetët tona dhe rolin gjatë ditëve të sotme. E vlerësojmë rolin e NATO-s në zhvillimin e Kosovës. Sukseset e Kosovës janë suksese të NATO-s dhe për këtë jemi krenar që kemi demokracinë më të gjallë në rajon. Duhet të jemi krenar për këto arritje. Saktësisht për shkak se Kosova është sukses historik i NATO-s, ka forca keqdashëse që duan ta sfidojnë dhe ta rrënojnë atë. Nuk duhet ta lejojmë këtë. Kosova dhe rajoni nuk duhet të sfidohen për shkak të keqdashjes ruse. Veriu i Kosovës ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë pjesë e Republikës. Nuk do të lejojmë që veriu të jetë fushëbetejë për arritjen e ambicieve hegjemoniste të autokratëve rajonalë. Ne jemi për integrimin e veriut. I kam dënuar sulmet e 29 majit ndaj ushtarëve të KFOR-it që janë organizuar nga krimi serb. Mendimet tona janë me ushtarët e lënduar”, ka thënë Osmani, duke falënderuar Stoltenbergun për “pritje të ngrohtë”.

Tutje, Osmani në emër të institucioneve shprehi gatishmërinë që në bashkëpunim me NATO-n t’i sjellin para drejtësisë kriminelët që sulmuan ushtarët e KFOR-it, gazetarët e njësitet policore në veri të Kosovës gjatë fund të majit.

“Nëse ka pandëshkueshmëri ndaj sulmeve, kryesit ka rrezik që do të trimërohen për të përsëritur aktet e dhunës. Si presidente dhe në emër të institucioneve, i ofrojmë NATO-s bashkëpunim të plotë për t’i sjellë kryesit e atyre veprave para drejtësisë. Shpresoj që të punojmë së bashku për të përforcuar marrëdhëniet tona me KFOR-in, partnerin tonë më të rëndësishëm të sigurisë”, ka thënë ajo.

Presidentja ka përsëritur se orientimi i Kosovës mbetet i qartë, synimi është anëtarësimi në NATO.

“Objektivi strategjik i Kosovës është t’i bashkohet NATO-s. Kosova nuk do shmanget nga rrugëtimi euroatlantik në asnjë rrethanë. Ky është zotimi që i kemi dhënë gjeneratave të reja. Do të ofrojmë modalitetet më të mira për të avancuar partneritetin tonë dhe qëllimin tonë për anëtarësim në NATO. NATO-ja dhe Kosova janë përherë të lidhura mes vete. Na duhet NATO-ja si garantuese e paqes dhe demokracisë”, ka thënë Osmani.