Edhe një deputet tjetër i LVV-së reagon ndaj Haxhiut për Kodin Civil

Pas Gramos Agushollit, ndaj ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiut ka reaguar edhe deputeti i LVV-së, Ekrem Mustafa.

Mustafa ka thënë se do ta votojë Kodin Civil vetëm nëse janë bërë ndryshimet e kërkuara.

“Kodin Civil ne herën e kaluar e kemi votuar kundër. Tash kur të vijë në Kuvend e shohim, kemi kërkuar të ketë ndryshime në dy nene dhe nëse ka plotësim-ndryshim, atëherë pse jo ne mund ta votojmë edhe për. Nëse kërkesat e tona përfillen, ne jemi të gatshëm me votu për”, tha ai.

Por, kur është pyetur se cila do të jetë vota e tij nëse nuk janë bërë ndryshimet, ai ka dhënë këtë përgjigje.

“Ne nuk e ndryshojmë qëndrimin brenda ditës, apo brenda natës, kemi pas arsyet tona pse kemi qenë kundër, kështu që qëndrimi mbetet i njëjtë”, ka deklaruar ai për Front Online.

LEXO EDHE: Haxhiu: Kodi Civil kalon këtë vit, do t’i kemi edhe votat e deputetëve të LVV-së që ishin kundër

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar sot se pret që këtë vit Kodi Civil të votohet në Kuvend.

Ajo, ka treguar se kanë biseduar edhe me deputetët e LVV-së, të cilët kanë pasur qëndrim ndryshe nga partia dhe se është optimiste se edhe ata do ta mbështesin

Kodi Civil nuk kishte arritur të merrte dritën e gjelbër në organin legjislativ në mars të vitit të kaluar pasi ngjalli debat të madh mes pozitës dhe opozitës.

E, pika që deputetët kishin mospajtime gjatë seancës kur edhe u hodh në votim ishte neni i cili do të mundësonte hartimin e një ligji të posaçëm, përmes të cilit do të lejohej regjistrimi i “bashkësive civile” ndërmjet personave me gjini të njëjtë.

Kjo, bëri që Kodi Civil t’i kthehet prapë Qeverisë për ndryshime.

Kundër Projektkodit Civil në herën e parë kanë votuar këta deputetë:

Labinotë Demi – Murtezi (LVV),

Eman Rrahmani (LVV),

Burim Karameta (LVV),

Gramoz Agusholli (LVV),

Visar Korenica (LVV),

Driton Hyseni (LVV),

Fitim Haziri (LVV),

Drita Millaku (LVV),

Fjolla Ujkani (LVV),

Ekrem Mustafa (LVV),

Alban Bajrami (LVV),

Valon Ramadani (LVV),

Milazim Salijaj (LVV),

Nijazi Isaku (LVV),

Besnik Tahiri (AAK),

Time Kadrijaj (AAK),

Pal Lekaj (AAK),

Bekë Berisha (AAK),

Albana Bytyçi (AAK),

Mërgim Lushtaku (PDK).

Kundër kanë votuar edhe deputetët e komuniteteve joshumicë.