Deputeti i LVV-së demanton Haxhiun: Një e pavërtetë e madhe, s’e votoj Kodin Civil

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë sot se Kodi Civil do të kalojë këtë vit në Kuvend dhe se i kanë edhe votat e deputetëve të LVV-së që kanë qenë kundër këtij ligji.

LEXO EDHE: Haxhiu: Kodi Civil kalon këtë vit, do t’i kemi edhe votat e deputetëve të LVV-së që ishin kundër

Lidhur me këtë ka folur Gramos Agusholli, njëri nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje që ka votuar kundër Kodit Civil.

Ai thotë se nuk do ta votojë atë dhe se nuk beson se ky ligj do të kalojë këtë vit në Kuvend.

“Po e përsëris, hiç nuk e besoj se do të vijë këtë vit Kodi Civil, po edhe nëse vjen në versionin ashtu siç ka qenë, atëherë ai nuk votohet prej meje”, shprehet ai për Blicin.

Lidhur me deklaratën e ministres, deputeti thotë se ajo ka thënë një të pavërtetë të madhe.

“Nëse ka thënë ministrja se deputetët të cilët s’e kanë votuar tash do ta votojnë, atëherë mund të them se ka thënë një të pavërtetë të madhe”, deklaroi Gramos Agusholli.