Shpërthimi i dy veturave në oborr, arrestohet pejani 31-vjeçar

Mëngjesin e 23 korrikut të këtij viti në rrugën “Jeton Dedushaj” në Pejë kishte ndodhur një shpërthim në oborrin e një shtëpie, me ç’rast ishin dëmtuar dy vetura.

Që nga ajo kohë Policia e Kosovës ka qenë në kërkim të të dyshuarit dhe sot, më 7 shtator, ka arritur ta arrestojë 31-vjeçarin me inicialet F.S., shkruan Zeri.info.

Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Njoftimi i plotë i Policisë së Kosovës, pa ndërhyrje:

Arrestohet një (1) person i dyshuar për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”

Pejë, 7 shtator 2023. Më datë 23.07.2023, rreth orës 04:30, Policia është njoftuar se në rrugën “Jeton Dedushaj” në Pejë ka ndodhur një shpërthim.

Njësitet relevante të Stacionit Policor në Pejë menjëherë i kanë përgjigjur rastit, aty është vërejtur se shpërthimi ka ndodhur para derës së shtëpisë së viktimave dhe si pasojë dy (2) vetura janë dëmtuar, mirëpo pasoja në njerëz nuk ka pasur.

Në vazhdën e hetimeve të zhvilluara nga hetuesit e Sektorit Rajonal për Hetime DRP Pejë, sot më datë 07.09.2023, në bazë të urdhëresës së Gjykatës themelore në Pejë, është bërë bastisja e shtëpisë dhe objekteve përcjellëse të personit të dyshuar: F.S., i lindur në vitin 1992 Kosovar/Shqiptar.

I dyshuari është arrestuar, gjithashtu është sekuestruar edhe automjeti i tij i cili dyshohet se është përdorur në rast.

Personi i dyshuar është intervistuar nga hetuesit në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me vendim të prokurorit të Shtetit i dyshuari është ndaluar për 48 orë. /Zëri