Ekspozita “Dhuna nuk fshehet mrena mureve”, nesër në Skenderaj

Rrjeti i Grave të Kosovës (RRGK) nesër nga ora 10:00-16:00 te sheshi “Adem Jashari” në Skenderaj do ta hap ekspozitën “Dhuna nuk fshehet mrena mureve”, e cila tash e disa vite hapet vazhdimisht në komuna të ndryshme të Kosovës, me qëllim që të ngrejë vetëdijen kundër dhunës në familje.

Sipas njoftimit të RRGK-së, kjo ekspozitë ka për qëllim që qytetarët e Kosovës t’i njoftojë për së afërmi me përgjegjësitë që institucione të ndryshme qeveritare dhe joqeveritare kanë ndaj tyre, për mbrojtje nga dhuna në familje.

“Dhuna në shumë familje kosovare është përditshmëri tejet e hidhur. Mjerisht, në shoqërinë tonë personat që përjetojnë dhunë në familje akoma fshihen brenda mureve të shtëpisë. Kur njerëzit dëgjojnë dhunën te fqinjët, thonë ‘Çka bojnë ata mrena shpisë tyne, osht’ punë për ta”.Vetëm gjatë vitit 2021 kemi pasur 2489 raste të dhunës ndaj grave të raportuara në Policinë e Kosovës. Gjithashtu që nga viti 2010 deri në vitin 2022 janë 48 gra të vrara nga burrat. Prandaj, është tejet e rëndësishme që kjo ekspozitë të organizohet dhe të njoftohen qytetarët për përgjegjësitë që institucionet kanë ndaj tyre”, thuhet në njoftimin e RRGK-së.

Kjo ekspozitë që do të hapet nesër në Skenderaj nga Rrjeti i Grave të Kosovës, është mundësuar në bashkëpunim me organizatën e saj anëtare në këtë qytet, OJQ “Drugëza”.

Kjo ekspozitë përkrahet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA). /Zëri